Franca tha të martën se do dëbojë 12 zyrtarë algjerianë, pasi tensionet mes Parisit dhe Algjerit u përshkallëzuan pas dëbimit më herët të 12 zyrtarëve francezë.
“Në përgjigje të vendimit të tyre të pajustifikuar dhe të pakuptueshëm, ne po dëbojmë 12 zyrtarë algjerianë dhe po tërheqim ambasadorin tonë për këshillime”, shkroi ministri i Jashtëm Jean Noel-Barrot në X.
Ai tha se po përgjigjeshin “siç ishte paralajmëruar” pasi Algjeria zgjodhi “përshkallëzimin.” – shkruan AA.
“Dialogu është gjithmonë i mirëpritur, por jo i njëanshëm”, shtoi ai.
Dëbimi i të dërguarve algjerianë u konfirmua edhe nga presidenca franceze.
“Autoritetet algjeriane mbajnë përgjegjësinë për një përkeqësim të papritur në marrëdhëniet tona dypalëshe,” tha pallati Elysee në një deklaratë, duke nënvizuar se Franca e merr parasysh vendimin algjerian me “dëshpërim”.
Algjeria urdhëroi të hënën 12 zyrtarë të ambasadës franceze që të largoheshin nga vendi brenda 48 orëve, pas aktakuzës ndaj tre burrave në Paris, njëri prej të cilëve punonte për një konsullatë algjeriane në Francë, me akuza të lidhura me terrorizmin.