Izraeli nuk tërhiqet nga Gaza, trupat do qëndrojnë në “zona sigurie”


Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka deklaruar se trupat izraelite do të qëndrojnë në të ashtuquajturat “zona sigurie” në Gaza edhe pas përfundimit të luftës. Ai tha se këto zona do të shërbejnë për të mbrojtur komunitetet izraelite, dhe se rreth 30% e territorit të Gazës është tashmë nën kontrollin e Izraelit, përcjell BBC.

Katz konfirmoi gjithashtu se bllokada ndaj ndihmave humanitare do të vazhdojë, për të ushtruar presion mbi Hamasin që të lirojë pengjet. Kjo politikë ka sjellë pasoja të rënda humanitare. Organizata Mjekët Pa Kufij (MSF) paralajmëroi se Gaza është kthyer në një “varrezë masive” për palestinezët dhe ndihmësit e tyre, ndërsa OKB thotë se 69% e territorit të Gazës është nën urdhra evakuimi nga ushtria izraelite dhe rreth 500,000 persona janë zhvendosur sërish.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës njofton se mbi 1,650 persona janë vrarë që nga rifillimi i ofensivës më 18 mars. Sulmet ajrore kanë shkaktuar viktima të shumta, përfshirë gra dhe fëmijë.

Hamas ka refuzuar propozimin izraelit për një armëpushim me kushte që përfshijnë çarmatimin dhe tërheqjen e pjesëshme, duke e cilësuar si “kurth politik”. Ndërkohë, presioni nga familjet e pengjeve ndaj qeverisë izraelite po rritet, duke kërkuar që lirimi i pengjeve të jetë prioritet mbi ofensivën ushtarake.

Izraeli e nisi këtë fushatë ushtarake pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamasi, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe u rrëmbyen 251 të tjerë. Që atëherë, mbi 51,000 palestinezë janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Bllokada e ndihmave nga Izraeli ka sjellë mungesë të theksuar të ushqimit, medikamenteve dhe materialeve kirurgjikale. OKB dhe organizatat humanitare thonë se kjo shkel të drejtën ndërkombëtare humanitare.