Kina ndërron negociatorin tregtar


Kina ka emëruar një negociator të ri tregtar, në një kohë kur përballja ekonomike me Shtetet e Bashkuara po përshkallëzohet ndjeshëm. 

Li Chenggang është zyrtari i ri që do të drejtojë bisedimet tregtare, duke zëvendësuar Wang Shouwen, i cili kishte një rol kyç në marrëveshjen tregtare të vitit 2020 mes dy superfuqive ekonomike.

Lëvizja e Pekinit vjen në një kohë të tensionuar, ku tarifat mes Kinës dhe SHBA-së janë rritur ndjeshëm.

Kina përballet aktualisht me taksa deri në 145% ndaj eksporteve të saj në tregun amerikan, ndërsa Pekini ka vendosur tarifa 125% për mallrat amerikane, si kundërpërgjigje.

Ndërkohë, të dhënat zyrtare tregojnë se ekonomia kineze u rrit me 5.4% në tremujorin e parë të vitit, e nxitur kryesisht nga eksportet e forta.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se ritmi i rritjes pritet të ngadalësohet, për shkak të efekteve të reja tarifore dhe presioneve globale.

Zëdhënësi i Byrosë Kombëtare të Statistikave, Sheng Laiyun, tha se tarifat do të kenë ndikim afatshkurtër në ekonominë kineze, por nuk do të pengojnë rritjen në planin afatgjatë.

Pekini ka theksuar angazhimin për të mbajtur tregjet e hapura ndaj investimeve dhe tregtisë, pavarësisht tensioneve me SHBA-në.

Emërimi i negociatorit të ri shihet si përpjekje për të riformatuar strategjinë tregtare në një klimë të re gjeopolitike, ndërkohë që lufta tarifore midis dy vendeve vijon të ndikojë ekonominë globale./AP