Një 41-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi mashtronte qytetarët duke u premtuar kontrata pune në shtete të huaja, kundrejt pagesës prej 1000 deri në 1500 euro. Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit policor të koduar “Premtimi”.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë muajit prill 2025, i arrestuari, H. B., banues në Kosovë, ka arritur t’u marrë para të paktën 3 qytetarëve shqiptarë, përmes mashtrimit me kontrata të rreme pune.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i hetimeve të kryera gjatë 3 muajve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në drejtimin e Prokurorisë, mbi kallëzimet e bëra nga disa shtetas, për mashtrim me kontratat e punës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Premtimi”. Si rezultat i operacionit, u arrestua shtetasi kosovar:
H. B., 41 vjeç, banues në Kosovë.
Nga hetimet ka rezultuar se 41-vjeçari premtonte kontrata pune në shtete të ndryshme, kundrejt pagesës që varionte nga 1000 deri në 1500 euro, nëpërmjet mashtrimit. Gjatë muajit prill 2025, ky shtetas, nëpërmjet kësaj mënyre mashtrimi, iu ka marrë para, 3 shtetasve.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e rasteve të tjera të mashtrimit nga ky shtetas dhe për identifikimin e shtetasve me të cilët ai mund të ketë bashkëpunuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.