Ndërron jetë në fushë futbollisti Bledar Hajdari, FSHF: Një humbje e madhe


Një tjetër ngjarje tragjike ka goditur futbollin shqiptar. Futbollisti Bledar Hajdari, pjesë e skuadrës së FC Dajtit, ka humbur jetën si pasojë e një atak kardiak gjatë një ndeshjeje të kampionatit amator “FSHF Sunday League Albania”, që po luhej në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme, gjatë sfidës mes FC Dajtit dhe FC Lumninese, kur Hajdari u rrëzua papritur në fushë.

Ndihma e parë iu dha menjëherë dhe ambulanca e pranishme në stadium e transportoi me urgjencë drejt Spitalit të Traumës. Por, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, i riu nuk mundi të mbijetonte.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) reagoi ndaj humbjes së papritur, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hajdari dhe ekipin e FC Dajtit. “

Reagimi i plotë:

Federata e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për ngjarjen tragjike të ndodhur sot gjatë ndeshjes së vlefshme për gjysmëfinalet e kampionatit të futbollit amator 9×9 “FSHF Sunday League Albania”, FC Dajti-FC Lumninese në Shtëpinë e Futbollit .

Gjatë ndeshjes futbollisti i FC Dajtit, Bledar Hajdari, ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është rrëzuar në fushën e lojës.

Menjëherë i është dhënë ndihma e shpejtë, duke e transportuar urgjentisht me ambulancën e pranishme në ndeshje për në spitalin e Traumës.

Për fat të keq, pavarësisht asistencës mjekësore dhe të gjitha përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, futbollisti ka ndërruar jetë.

FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Hajdari dhe ekipit të FC Dajtit për këtë humbje të madhe që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.

Në këto momente të vështira, Federata Shqiptare e Futbollit qëndron pranë familjes, miqve dhe bashkëlojtarëve të Bledar Hajdarit, duke ndarë me ta pikëllimin për këtë ndarje të parakohshme dhe të rëndë.