Rama: Synojmë pensionin 200 euro deri në vitin 2030, por varet nga rritja ekonomike


Kryeministri Rama htha sot nga Cërriku se qeveria e tij synon që deri në vitin 2030 ta bëjë pensionin minimal 200 euro. Sipas tij, përgjegjësia për skemën e pensioneve është e qeverisë së PD-së.

Kreu i qeverisë theksoi se mbajtja e premtimit për pensionin 200 euro deri në vitin 2030 do varet nga rritja ekonomike e vendit.

“U bë një mbjellje masive e gjithë aseteve të Shqipërisë dhe u  nxorrën njerëzit në rrugë dhe që 40 vjeç u shpallën pensionistë dhe u shoqërua me një vendim që pensioni më i lartë është 200 mijë lekë të vjetra, ndërsa të tjerat ishin qesharake. Kjo krijoi masë të madhe njerëzisht që nga njëra anë u shpallën pensionistë, nga ana tjetër puna e tyre e bërë ku të mundeshin nuk figuronte në sigurime, niveli i punës në të zezë ishte katastrofik dhe përveç kësaj, kjo situatë u mbajt deri në 2014. Kur ne e hoqëm tavanin, dhe thamë një gjë të thjeshtë, pensioni është ajo që ke kontribuuar në vite. Na ra goja duke iu thënë njerëzve që mos e hani karamelen që në sipërfaqe është e ëmbël, por në brendi është e hidhur të marrjes së pagave në dorë. Të duket sikur merr pak më shumë por në fakt po i bën gropën vetes kur të dalësh në pension. Ai që po ta bën këtë po të vjedh pensionin. Kjo ka sjellë të rritet në mënyrë të ndjeshme kontributi në sigurime shoqërore. Në Shqipërinë 2030, synojmë që minimumi, kjo do të varet nga rritja ekonomike dhe BE, pensionin minimal 200 euro për të gjithë që është ajo që thatë ju.” – tha Rama.