Zëvendëskryeministrja e Parë e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, deklaroi të mërkurën se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë “përparim të rëndësishëm” në bisedimet për një marrëveshje mbi mineralet dhe se së shpejti pritet nënshkrimi i një memorandumi, përcjell Reuters.
Presidenti amerikan Donald Trump po kërkon një marrëveshje dypalëshe për mineralet si pjesë e përpjekjeve të tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë kundër pushtimit rus. Ai gjithashtu e sheh këtë marrëveshje si një mënyrë për të rikuperuar miliarda dollarë që SHBA ka shpenzuar në ndihmën ushtarake për Ukrainën. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar më herët se Ukraina nuk do të njohë ndihmën ushtarake të mëparshme të SHBA-së si borxh.
“Ekipet tona teknike kanë punuar shumë imtësisht në këtë marrëveshje dhe ka përparim të rëndësishëm. Juristët tanë kanë rishikuar disa pika të draftit,” shkroi Svyrydenko në një postim në rrjetin social X.
Ajo shtoi se puna për marrëveshjen do të vazhdojë, ndërsa të dyja palët kanë rënë dakord të nënshkruajnë një memorandum si hap të parë për të formalizuar progresin e arritur.
Zëvendësministri i Ekonomisë së Ukrainës, Taras Kachka, konfirmoi për televizionin kombëtar se bisedimet po avancojnë dhe se një dokument paraprak, ose memorandum, mund të nënshkruhet shumë shpejt. “Një dokument përfundimtar nuk do të nënshkruhet këtë javë. Ka ende shumë punë për të bërë, pasi idetë e përfshira nga pala amerikane në marrëveshje duhet të zhvillohen më tej,” theksoi Kachka.
Sipas një raporti të Bloomberg News, SHBA ka ulur vlerësimin e kostos së ndihmës së dhënë për Ukrainën që nga pushtimi i vitit 2022, nga 300 miliardë dollarë në rreth 100 miliardë dollarë.
Muajin e kaluar, administrata Trump propozoi një marrëveshje të re dhe më të gjerë për mineralet, e cila nuk parashikon garanci sigurie për Ukrainën në të ardhmen, por kërkon që të gjitha të ardhurat nga shfrytëzimi i burimeve natyrore nga ndërmarrjet shtetërore dhe private në territorin ukrainas të depozitohen në një fond të përbashkët investimi.
Marrëveshja përfundimtare do të kërkojë ratifikimin nga parlamenti ukrainas dhe pritet të nxisë rritje ekonomike në të dy vendet, tha Svyrydenko, pa dhënë më shumë detaje.
“Ajo do të krijojë mundësi për investime dhe zhvillim në Ukrainë dhe do të vendosë kushte për rritje të prekshme ekonomike si për Ukrainën ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara,” përfundoi Svyrydenko.