Gjobat dhe masat korrektuese të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ndaj subjekteve të mbikëqyrura pësuan rënie vitin e kaluar.
Sipas raportimit të këtij institucioni në kuvend, gjatë vitit 2024, Bordi i Autoritetit ka marrë 15 vendime, si masa administrative e korrigjuese ndaj subjekteve të mbikëqyrura, kryesisht si rezultat i konstatimeve të dala nga analizimi i treguesve financiarë, nga inspektimet e kryera në vend nga Autoriteti, por edhe pezullim licencash për ushtrimin e aktivitetit.
Numri i masave ndaj subjekteve të mbikëqyrura ka pësuar ulje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë, kur ky institucion raportonte 28 masa administrative dhe korrigjuese.
Sipas AMF-së, në tregun e sigurimeve janë marrë 11 vendime, të cilat sipas llojit të tyre janë 10 vendime me marrje masash mbikëqyrëse, “Urdhër eliminim shkeljesh” ndaj shoqërive të Sigurimit. Katër nga masat e marra ndaj shoqërive të sigurimit përfshijnë edhe sanksion me gjobë. Ndërkohë, AMF ka marrë një vendim për heqje licence ndaj një vlerësuesi dëmesh në sigurime.
Në tregun e titujve janë marrë dy vendime ndaj shoqërive që ushtrojnë veprimtari në ofrimin e shërbimeve të investimit, të cilat sipas llojit të tyre janë masë korrigjuese ndaj një shoqërie dhe masë korrigjuese dhe sanksion me gjobë ndaj një shoqërie tjetër.
Në tregun e fondeve të pensionit privat dhe sipërmarrjeve të investimeve kolektive janë marrë dy vendime, të cilat janë vendime me urdhër eliminim shkeljesh dhe parregullsish ndaj shoqërive depozitare të fondeve të pensionit privat dhe fondeve të investimit.
Në gjykatë nuk është ankimuar asnjë nga vendimet e Bordit të Autoritetit, të marra gjatë vitit 2024.
Sipas pasqyrave financiare të AMF të dorëzuara në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë vitit 2024 ky institucion realizoi afërsisht 5.4 milionë lekë të ardhura nga gjobat e vendosura për kompanitë e sigurimit. Sipas shënimeve të pasqyrave financiare, të ardhurat e realizuara janë të gjitha gjoba për kompanitë e sigurimeve. Të ardhurat nga gjobat pësuan rënie për të dytin vit radhazi, me 43% më pak krahasuar me një vit më parë.
Sipas ligjit “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, AMF mund të vendosë ndaj shoqërive të sigurimit gjoba që mund të arrijnë deri në tre milionë lekë, në varësi të shkeljes së konstatuar. Subjekte të gjobave mund të jenë edhe administratorët e shoqërive të sigurimit, për shuma nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë, si edhe anëtarët e këshillit mbikëqyrës, në intervalin mes 300 mijë lekë dhe 500 mijë lekë.
Në raportin vjetor të vitit 2024, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) vlerësonte se Bordi i AMF nuk ka marrë masa ndaj shkeljeve të përsëritur të shoqërive të sigurimit, duke ndikuar në rritjen e riskut të tregut.
Sipas konkluzioneve të paraqitura në raportin vjetor të vitit 2024, për periudhën e aktivitetit nga data 1 janar 2021 deri në datën 30 dhjetor 2023, janë identifikuar mangësi në vendimmarrjen e Bordit të AMF-së, i cili nuk ka ndërmarrë masa penalizuese ndaj shoqërive të sigurimit, pavarësisht shkeljeve të përsëritura dhe mungesës së përmirësimit të situatës financiare dhe treguesve të tyre, duke ndikuar në rritjen e riskut në sektorin e sigurimeve.
Sipas KLSH-së, konstatohet mosmarrja e masave për sanksionim me gjobë ndaj shoqërive të sigurimeve për shkeljet e konstatuara duke krijuar një dëm të mundshëm në intervalin e vlerave 9.95 milionë lekë deri në 19.4 milionë lekë, duke ndikuar kështu negativisht në disiplinën dhe rregullsinë e tregut të sigurimeve./Monitor