Evropianët dhe ukrainasit paraqesin qëndrimet e tyre gjatë vizitës së Rubio dhe Witkoff në Paris


Zyrtarë të lartë evropianë dhe ukrainas nisën të enjten në Paris një ditë bisedimesh me Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe të dërguarin e posaçëm të Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, për të mbrojtur çështjen e sigurisë së Ukrainës.

Kjo diplomaci e nivelit të lartë pasqyron shqetësimin në rritje të Evropës për afrimin e administratës Trump me Moskën, pas dështimit deri më tani të përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar një armëpushim në luftën që ka hyrë në vitin e tretë midis Rusisë dhe Ukrainës.

Gjatë qëndrimit në Paris, zyrtarët amerikanë pritet gjithashtu të diskutojnë për bisedimet bërthamore me Iranin, përcjell Reuters.

Presidenti Trump, i cili prej kohësh ka deklaruar se synon të përfundojë shpejt luftën në Ukrainë, ka shprehur pakënaqësi ndaj të dyja palëve, ndërkohë që retorika e administratës së tij është zhvendosur drejt një qëndrimi më të favorshëm ndaj narrativës ruse për konfliktin.

Ukraina pranoi muajin e kaluar një propozim për armëpushim nga Trump, të cilin Rusia e refuzoi.

Deri tani, të dyja palët kanë rënë dakord vetëm për kufizime në sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe në det – marrëveshje që të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën se po e shkelin.

Kievi dhe aleatët e tij evropianë e fajësojnë Moskën për refuzimin e armëpushimit dhe shpresojnë ta bindin Uashingtonin të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Kremlinit, sidomos pas një sulmi të fundit rus në qytetin e Sumit, ku mbetën të vrarë civilë, përfshirë besimtarë të krishterë ukrainas.

Po përpiqem vetëm ta ndaloj (luftën), që të shpëtojmë sa më shumë jetë,” deklaroi Trump të dielën.

Në takimet në Pallatin Élysée morën pjesë edhe këshilltari për politikën e jashtme i presidentit Macron, Emmanuel Bonne, i cili përshëndeti Witkoff me një përqafim.

Më pas, presidenti francez zhvilloi një drekë pune me Rubio dhe Witkoff.

Para këtij takimi, Bonne dhe homologët e tij britanikë dhe gjermanë u takuan me shefin e kabinetit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Andrii Yermak.

Sipas agjendës franceze, Yermak pritet të marrë pjesë edhe në një takim me Rubio, Witkoff dhe të dërguarit evropianë më vonë gjatë ditës.

Mbërritja e delegacionit ukrainas në Paris nuk ishte paralajmëruar më parë, pasi Uashingtoni kishte bërë të ditur vetëm takime mes përfaqësuesve të SHBA-së dhe zyrtarëve francezë.

“Po punojmë për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë e Ukrainës dhe të gjithë Evropës,” shkroi Yermak në rrjetin X.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, deklaroi: “Palët do të diskutojnë mënyrat për të arritur një armëpushim të plotë, përfshirjen e një kontingjenti ushtarak shumëkombësh për të garantuar paqe të qëndrueshme, zhvillimin e mëtejshëm të arkitekturës së sigurisë së Ukrainës dhe garantimin e sigurisë së vendit tonë.”

Nga ana e saj, Kremlini përshëndeti takimet në Paris si një mundësi që Witkoff – i cili javën e kaluar zhvilloi një takim pesëorësh me presidentin rus Vladimir Putin – t’i informojë evropianët për ecurinë e bisedimeve për një marrëveshje paqeje në Ukrainë.

 

Bisedimet për Iranin

Përveç çështjes së Ukrainës, zyrtarët amerikanë dhe francezë konfirmuan se në rendin e ditës janë edhe përpjekjet e Uashingtonit për të arritur një marrëveshje bërthamore me Iranin.

Witkoff pritet të udhëtojë më pas drejt Romës për një raund të dytë bisedimesh të shtunën me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, lidhur me programin bërthamor të Teheranit. Ata u takuan për 45 minuta fundjavën e kaluar në Oman.

Të dyja palët e përshkruan takimin si “pozitiv”, megjithëse pranuan se një marrëveshje ende është larg.

Presidenti Trump, i cili braktisi marrëveshjen bërthamore me Iranin në mandatin e tij të parë në vitin 2018, deklaroi të hënën se është i gatshëm të godasë objektet bërthamore iraniane nëse nuk arrihet një marrëveshje e re.

SHBA-të nuk e kishin njoftuar paraprakisht Evropën për takimet në Oman, të cilat Trump i bëri publike më pas.