“Gaddafi ofroi dorëheqjen por SHBA-ja e Britania e donin të vdekur, Hillary Clinton ka gisht” – Ish-Kongresmeni amerikan (Video)


Ish-kongresmeni i Shteteve të Bashkuara, Curt Weldon, ka deklaruar se Amerika dhe aleatët e saj evropianë orkestruan vrasjen e presidentit libian Muammar Gaddafi për të parandaluar bashkimin e Afrikës nën një sistem të vetëm ekonomik të mbështetur nga ari.

Në një intervistë me gazetarin Tucker Carlson, Weldon, i cili ka qenë Kongresmen nga viti 1987 deri në 2007, rrëfeu takimet e shumta me Gaddafin dhe vizitat në Libi në vitin 2004.

“Ne, SHBA-ja, Britania, ishim ata që shkaktuam vdekjen e Gaddafit. Unë isha ai që shkova atje gjatë luftës. Mora një ndihmës të Bidenit, një punonjës të Bushit dhe një drejtues të ekipit të xhirimit nga WABC, Larry Mendte dhe një kameraman sepse nuk doja që CIA të më  fuste në kurth”, tha Weldon.

Ai tha se Gaddafi ishte i përkushtuar për të krijuar një bllok ekonomik afrikan me një monedhë të mbështetur nga ari. Fuqitë perëndimore, sipas Weldon, e kundërshtuan planin.

“Në çdo takim që kisha me Gaddafin, ai foli për dy gjëra – bashkimin ekonomik të kontinentit afrikan bazuar në standardin e arit dhe ruajtjen e kontrollit të naftës dhe pasurisë sovrane të Libisë. SHBA-ja dhe evropianët nuk e donin këtë. Kështu që Gaddafi duhej të ikte”, tha ish-Kongresmeni.

Weldon tha se ai udhëhoqi dy delegacione në Libi. I pari ishte në janar 2004 për të hapur dialogun. Takimi i dytë ndodhi në mars 2004, kur ai iu drejtua Kongresit të 27-të të Përgjithshëm Popullor të Libisë në Sirte. Ai zbuloi se një punonjës nga zyra e senatorit të atëhershëm Joe Biden ishte pjesë e vizitës së dytë, së bashku me ndihmësit nga të dy kampet Bush dhe Biden.

Gjatë luftës së udhëhequr nga NATO në 2011 në Libi, Weldon tha se u kthye në Libi. Një ekip xhirimi, një punonjës i Bidenit, një punonjës i Bushit dhe të tjerë e shoqëruan atë. Ai pretendoi se Gaddafi dërgoi një letër duke ofruar dorëheqjen, të cilën Weldon ia dorëzoi qeverisë amerikane. Oferta u shpërfill.

“Ata nuk donin që ai të jepte dorëheqjen. Ata e donin të vdekur”, tha ai.

 

Ai gjithashtu akuzoi Sekretaren e atëhershme të Shtetit Hillary Clinton se “organizoi atë që ndodhi” në Libi. Muammar Gaddafi u kap dhe u vra më 20 tetor 2011 gjatë luftës civile.

Vdekja e tij pasoi muaj të tërë të sulmeve ajrore të NATO-s dhe operacioneve të fshehta. Kjo shënoi fundin e sundimit të tij 42-vjeçar.

Gaddafi kishte mbrojtur prej kohësh vetëmbështetje afrikane. Ai u përpoq të zbuste varësinë e kontinentit nga institucionet financiare perëndimore përmes Librit të tij të Gjelbër dhe propozimeve si Fondi Monetar Afrikan dhe Banka Qendrore Afrikane. Ai përdori gjithashtu pasurinë e naftës të Libisë për të financuar projekte infrastrukturore dhe politike në të gjithë Afrikën.

Ndërsa krerët e SHBA-ve dhe evropianëve e justifikuan ndërhyrjen e tyre si një përpjekje humanitare, komentet e Weldon sugjerojnë se vizioni i Gadafit për pavarësinë ekonomike afrikane ishte një arsye qendrore për largimin e tij.

Vdekja e tij e zhyti Libinë në kaos politik. Deri tani, vendi mbetet i ndarë, me qeveri rivale, dhunë të vazhdueshme të milicisë dhe prodhim të dobësuar të naftës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Westafricaweekly

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani