Gjykata federale amerikane: Google ka monopolizuar në mënyrë të paligjshme tregun e reklamave në internet


Një gjykatës federal në SHBA vendosi të enjten se kompania Alphabet, e cila zotëron Google, ka përdorur në mënyrë të paligjshme fuqinë e saj për të monopolizuar softuerët e reklamave që përdoren nga faqet e internetit, përcjell DW.

Me këtë vendim të ri, Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ) mund të kërkojë edhe shpërbërjen e kompanisë. Departamenti ka theksuar se Google duhet të shesë të paktën platformën e saj të menaxhimit të reklamave, Google Ad Manager.

Sipas prokurorëve, shumica e faqeve të internetit përdorin një treshe produktesh të Google për reklamat — serverët për publikuesit, mjetet për reklamuesit dhe sistemin për shkëmbimin e reklamave — gjë që e bën shumë të vështirë për faqet e internetit të dalin nga monopoli i Google.

Gjiganti i teknologjisë, i njohur për motorin më të përdorur të kërkimit në botë si dhe aplikacione të tjera si YouTube, po përballet gjithashtu me një tjetër proces gjyqësor në Uashington, ku DOJ po kërkon që kompania të detyrohet të shesë shfletuesin Chrome dhe të ndërmarrë hapa për t’i dhënë fund dominimit në motorët e kërkimit online.

Çfarë u tha në vendimin gjyqësor për Google?

“Google ka ndërmarrë me vullnet një sërë veprimesh antikonkurruese për të fituar dhe ruajtur fuqinë monopoliste në tregjet e serverëve për publikues dhe të shkëmbimit të reklamave për reklamat me shfaqje në web të hapur,” shkroi gjykatësja Leonie Brinkema në vendimin e saj.

“Google e forcoi më tej fuqinë e saj monopoliste duke imponuar politika antikonkurruese ndaj klientëve të saj dhe duke eliminuar veçori të dëshiruara të produktit,” shtoi ajo.

“Përveç se i privoi rivalët nga mundësia për të konkurruar, kjo sjellje përjashtuese dëmtoi ndjeshëm klientët e Google që janë publikues, procesin konkurrues dhe, në fund, konsumatorët e informacionit në web-in e hapur.”

Google ka deklaruar tashmë se do ta apelojë këtë vendim.