Shefi i Hamasit në Gaza tha se grupi ishte gati të negocionte menjëherë një marrëveshje për të shkëmbyer të gjithë pengjet për një numër të rënë dakord të palestinezëve të burgosur nga Izraeli, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë për t’i dhënë fund luftës në enklavë.
Në një fjalim televiziv, Khalil Al-Hayya, i cili drejton ekipin negociator të Hamasit për bisedimet me Izraelin, tha se grupi hodhi poshtë një marrëveshje të përkohshme armëpushimi, shkruan Reuters.
“Netanyahu dhe qeveria e tij përdorin marrëveshjet e pjesshme si mbulesë për axhendën e tyre politike, e cila bazohet në vijimin e luftës së shfarosjes dhe urisë, edhe nëse çmimi është sakrifikimi i të gjithë pengjeve. Ne nuk do të jemi pjesë e kalimit të kësaj politike”, tha Hayya, duke iu referuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Ndërmjetësuesit egjiptianë kanë punuar për të ringjallur marrëveshjen e armëpushimit të janarit që ndaloi luftimet në Gaza përpara se të prishej muajin e kaluar, por ka pasur pak shenja përparimi me Izraelin dhe Hamasin që fajësojnë njëri-tjetrin për mungesën e një marrëveshjeje.
Raundi i fundit i bisedimeve të hënën në Kajro për rivendosjen e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve izraelitë përfundoi pa ndonjë përparim të dukshëm, thanë burimet palestineze dhe egjiptiane.
Haya tha se Hamasi pranoi një propozim nga ndërmjetësit, Katari dhe Egjipti, për të liruar disa pengje në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli dhe për të filluar bisedimet për zbatimin e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit që përfshin përfundimin e luftës dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.