Katër të vdekur dhe një i plagosur pas rrëzimit të teleferikut pranë Napolit


Katër persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë pasi një teleferik u rrëzua në tokë pranë qytetit të Napolit, në jug të Italisë, të enjten, përcjell Guardian.

Një kabllo u këput në linjën që transporton turistët nga qyteti bregdetar Castellammare di Stabia, në Gjirin e Napolit, drejt Malit Faito, rreth tre kilometra larg.

“U gjetën katër trupa pa jetë, ndërsa një person i pestë i plagosur u shpëtua dhe u dërgua në spital,” njoftoi shërbimi i zjarrfikësve në një postim në Telegram, duke e cilësuar këtë si bilancin përfundimtar.

Vincenzo De Luca, kreu i rajonit të Kampanias, tha për Rai se operacionet e shpëtimit u vështirësuan nga mjegulla dhe erërat e forta.

Më shumë se 50 zjarrfikës morën pjesë në përpjekjet e shpëtimit.

Një kabinë që mbante 16 pasagjerë ishte afër Castellammare dhe ata u vendosën në tokë të sigurt. Një kabinë e dytë ishte pezull mbi një greminë në Malin Faito dhe mjegulla vonoi ndërhyrjen, sipas raportimeve.

Teleferiku sapo ishte rihapur për sezonin veror dhe prokuroria ka nisur një hetim për ngjarjen.

“Teleferiku u rihap para 10 ditësh me të gjitha kushtet e kërkuara të sigurisë,” deklaroi Umberto De Gregorio, drejtuesi i kompanisë së teleferikut. “Ajo që ndodhi sot është një tragjedi e paimagjinueshme dhe e paparashikueshme.”

Zyra e kryeministres Giorgia Meloni tha se ajo shprehu “ngushëllimet e sinqerta” për familjet e viktimave.

Teleferiku ka qenë në funksion që prej vitit 1952 dhe një aksident i ngjashëm në vitin 1960 shkaktoi gjithashtu katër viktima.

Në vitin 2021, 14 persona humbën jetën kur një teleferik që lidhte Liqenin Maggiore me një mal aty pranë ra në tokë në Italinë veriore. Ndërsa në vitin 1998, një avion amerikan që fluturonte në lartësi të ulët gjatë një stërvitjeje, këputi një kabllo çeliku dhe shkaktoi vdekjen e 20 personave në një teleferik në Dolomite.