Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka ngritur alarmin për rritjen e ndjeshme të rasteve me autizëm tek fëmijët në Shtetet e Bashkuara, duke e quajtur situatën “të papranueshme” dhe një kërcënim për brezin e ardhshëm.
Në një deklaratë për mediat të mërkurën, Kennedy premtoi se do të nisë një hetim të thelluar shkencor për të identifikuar çdo faktor të mundshëm mjedisor që mund të ndikojë në zhvillimin e këtij çrregullimi.
Kjo deklaratë vjen një ditë pasi Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) publikuan një raport të ri, ku zbulohet se rreth 1 në 31 fëmijë amerikanë janë diagnostikuar me autizëm – një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2020.
Ekspertët e fushës theksojnë se kjo rritje është në pjesë të madhe rezultat i zgjerimit të përkufizimit të autizmit, duke përfshirë edhe format më të lehta të tij.
Megjithatë, Kennedy e cilësoi autizmin si “një sëmundje që shkatërron familjet dhe fëmijët tanë” dhe e quajti atë “të parandalueshme” – pavarësisht se shkencëtarët e konsiderojnë autizmin një çrregullim kompleks neurologjik dhe jo një sëmundje klasike.
“Autizmi shkatërron familjet. Më e rëndësishmja, ai shkatërron burimin tonë më të çmuar – fëmijët tanë. Këta janë fëmijë që nuk duhet të vuajnë kështu,” u shpreh Kennedy.
Ndërsa kërkimet shkencore nuk kanë gjetur ende një shkak të vetëm për autizmin, studimet kanë identifikuar disa faktorë të mundshëm përveç gjenetikës, përfshirë moshën e lartë të babait, peshën e nënës gjatë shtatzënisë, praninë e diabetit si dhe ekspozimin ndaj kimikateve të caktuara.
Kennedy tha se departamenti i tij do të analizojë me imtësi të gjithë këta faktorë mjedisorë, dhe ka vendosur si afat muajin shtator për të dhënë rezultatet e para, duke premtuar që deri atëherë do të identifikohen “të paktën disa” nga përgjigjet që lidhen me shkaktarët e autizmit.
Në kuadër të kësaj nisme, do të ndahen grante kërkimore për universitetet dhe studiuesit e fushës. Kennedy theksoi se do të garantohet pavarësia e kërkuesve, duke i nxitur ata të ndjekin shkencën “pavarësisht se ku i çon ajo”./AP