Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar vendin si një shembull pozitiv në rajon.
Gjatë një deklarate, ajo tha se Shqipëria ka arritur të hapë në një periudhë shumë të shkurtër kohore po aq grupkapituj sa janë hapur gjatë pesë viteve të fundit.
“Pak ditë më parë, ne hapëm një grupkapitull tjetër me Shqipërinë – i dyti që kur mora detyrën pesë muaj më parë dhe me shumë mundësi, jo i fundit. Në kaq pak kohë kemi hapur aq grupkapituj sa janë hapur në pesë vitet e fundit,” deklaroi Kos.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke nënvizuar se ai do të ndihmojë shtetet e Ballkanit Perëndimor të ecin më shpejt me reformat dhe të përparojnë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Ne po punojmë që të përshpejtojmë negociatat sa më shumë të jetë e mundur. Po shënojmë një progres që do të ishte i pabesueshëm vetëm pak vite më parë. Gjithashtu, do të mbyllim me shpejtësi grupkapitujt e hapur, sepse në këtë mënyrë procesi do të ecë përpara,” tha Kos.
Ajo theksoi se suksesi i këtij procesi kërkon udhëheqje të fortë dhe zbatimin e reformave transformuese të integrimit, duke bërë thirrje për kompromis politik dhe kapërcim të konflikteve të së kaluarës.
“Me sistemin e pagesave që kemi mundësuar, një sipërmarrës në Tiranë mund të transferojë dhe të marrë para njësoj si në Vjenë apo në Dublin. Me integrimin rajonal do të shkojmë edhe më tej në procesin e zgjerimit të shteteve ballkanike,” përfundoi Komisionerja Kos.