Meloni fton Trump në Itali për takim me liderët e BE-së


Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni u shfaqën optimistë gjatë takimit të tyre të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë, ku shprehën besim të ndërsjellë për arritjen e një marrëveshjeje tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, përcjell BBC.

Trump e përshëndeti Melonin ngrohtësisht, duke e quajtur “një kryeministre të shkëlqyer” dhe duke theksuar miqësinë e gjatë mes tyre. Në deklaratat për mediat, Trump tha: “Ne do të kemi shumë pak probleme për të arritur një marrëveshje me Evropën, apo me këdo tjetër, sepse kemi diçka që të gjithë e duan.”

Nga ana e saj, Meloni u shpreh e bindur për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje: “Jam e sigurt që mund të bëjmë një marrëveshje. Jam këtu për ta ndihmuar këtë proces.”

Kryeministrja italiane shprehu gjithashtu dëshirën për të ftuar Trump në Itali dhe për të organizuar një takim me liderët evropianë: “Mendoj se mënyra më e mirë është që të flasim hapur për nevojat tona dhe të gjejmë një pikë të përbashkët.”

Ndërsa diskutimi kaloi te raportet me Kinën, Trump theksoi vetëbesimin amerikan, duke deklaruar: “Nuk ka asnjë që mund të konkurrojë me ne. Mendoj se do të bëjmë një marrëveshje shumë të mirë me Kinën.”

Takimi publik përfundoi me deklarata të shkurtra, përpara se delegacionet të kalonin në bisedime private, të cilat pritet të thellojnë diskutimet për tregtinë dhe bashkëpunimin transatlantik.