Meloni viziton Shtëpinë e Bardhë për takim me Trump-in mes tensioneve tregtare me BE-në


Kryeministrja italiane Giorgia Meloni po viziton sot Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me Presidentin amerikan Donald Trump, në një moment të tensionuar për marrëdhëniet tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Ajo është liderja e parë evropiane që viziton Uashingtonin që prej vendosjes së tarifës 20% ndaj produkteve evropiane nga Trump në fillim të këtij muaji, një masë që ka shkaktuar shqetësime të mëdha në kryeqytetet evropiane, sipas BBC.

Aktualisht, tarifa është pezulluar për 90 ditë, për t’i dhënë kohë BE-së dhe SHBA-së të zhvillojnë negociata.

Trump dhe Meloni gëzojnë një marrëdhënie personale të mirë, dhe sipas analistëve, në këtë periudhë të ndërlikuar, ajo është ndoshta ndër figurat më të përshtatshme në BE për të biseduar drejtpërdrejt me presidentin amerikan.

Takimi i tyre pritet të zhvillohet në Zyrën Ovale në orën 12:00 me orën lokale (17:00 me orën evropiane qendrore).