Qeveria miraton vendimin për vendosjen e oficerëve të sigurisë në shkolla


Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një vendim të ri për forcimin e sigurisë në institucionet arsimore, nëpërmjet angazhimit të oficerëve të sigurisë në shkolla, bazuar në kapacitetin e tyre.

Sipas vendimit të propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit:

  • Në shkollat me 80 deri në 700 nxënës do të caktohet 1 oficer sigurie.

  • Në ato me mbi 700 nxënës do të shërbejnë 2 oficerë sigurie.

Më konkretisht, 1 oficer sigurie do të vendoset në gjimnazet, shkollat e mesme profesionale dhe ato të orientuara që kanë mbi 80 nxënës, si dhe në shkollat e arsimit bazë që kanë mbi 350 nxënës. Ndërsa 2 oficerë sigurie do të caktohen në institucionet që kalojnë përkatësisht 900 nxënës (gjimnaze, shkolla të orientuara dhe shkolla të bashkuara) dhe 700 nxënës (shkolla profesionale).

Oficerët e sigurisë do të jenë të pranishëm për të monitoruar dhe ndërvepruar me nxënësit, mësuesit dhe komunitetin shkollor, me synimin për të garantuar një ambient të sigurt arsimor.

Institucionet përfituese do të përcaktohen me urdhër të ministrit të Arsimit, përveç shkollave profesionale, të cilat do të miratohen në bashkëpunim me ministrin për arsimin dhe formimin profesional.

Financimi i këtij shërbimi do të bëhet brenda buxhetit të miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe atë të Formimit Profesional. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.