Rusia ka hequr ndalimin mbi Talibanët, të cilët ishin shpallur grup terrorist për më shumë se dy dekada.
Ky vendim i hap rrugën normalizimit të marrëdhënieve të Moskës me udhëheqjen e Afganistanit.
Asnjë shtet në botë nuk e njeh zyrtarisht qeverinë e Talibanëve që mori pushtetin në gusht të vitit 2021, pas tërheqjes kaotike të forcave të udhëhequra nga SHBA-të nga Afganistani, pas 20 vitesh lufte.
Megjithatë, Rusia ka ndërtuar gradualisht lidhje me këtë lëvizje, që presidenti Vladimir Putin e quajti vitin e kaluar “aleate në luftën kundër terrorizmit”.
Talibanët ishin shpallur organizatë terroriste në Rusi që nga viti 2003, përcjell The Guardian.
Mediat shtetërore raportuan se Gjykata e Lartë e Rusisë e hoqi këtë ndalim të enjten, me efekt të menjëhershëm.
Moska ka filluar ta shohë si të domosdoshme bashkëpunimin me Talibanët, për shkak të kërcënimeve të mëdha të sigurisë që paraqesin grupet islamiste militante që veprojnë nga Afganistani deri në Lindjen e Mesme.
Në mars të vitit 2024, persona të armatosur vranë 145 vetë në një sallë koncertesh pranë Moskës, në një sulm që u mor përsipër nga grupi Shteti Islamik. Zyrtarë amerikanë pohuan se kanë informacione që degë afgane e këtij grupi, ISIS-K (Shteti Islamik i Khorasanit), ishte përgjegjëse për sulmin.
Talibanët pretendojnë se janë duke luftuar për të zhdukur praninë e ISIS-it në Afganistan.
Megjithatë, për diplomatët perëndimorë, rruga drejt njohjes ndërkombëtare të Talibanëve mbetet e bllokuar për sa kohë që nuk ndryshojnë qasjen ndaj të drejtave të grave.
Lëvizja ka mbyllur shkollat dhe universitetet për vajzat dhe gratë, duke vendosur gjithashtu ndalime mbi lëvizjen e tyre pa praninë e një kujdestari mashkull.