Tetë persona janë arrestuar lidhur me sherrin e mbrëmshëm në një lokal pranë liqenit Artificial në rrugën “Sami Frashëri”.
Në pranga kanë përfunduar Kasem Stani (Pasha), Emiljan Ruko, Bjorni Tahiraj, Eriald Tahiraj, Denikiajder Tahiraj, Eduart Sulaj, Kastriot Stani dhe Elton Ajredinaj. Në kërkim është Ilir Shabanaj.
Gjatë aksionit të policisë është sekuestruar edhe një pistoletë pa leje dhe cekularët e të arrestuarve.
“Menjëherë pas njoftimit, për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në një lokal në rrugën “Sami Frashëri”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda, kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim identifikimin dhe kapjen e përgjegjësve.
Si rezultat i veprimeve profesionale dhe të shpejta hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe:
-u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A. Sh., 51 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se gjatë konfliktit për motive të dobëta, ka goditur me qytën e një arme zjarri, shtetasin K. S.(P.), 40 vjeç, i cili u dëmtua lehtë. Gjithashtu, rezultoi se 51-vjeçari qëlloi një herë, me këtë armë zjarri, në vendngjarje, por nga e shtëna nuk u dëmtua asnjë shtetas. Vijon intensivisht puna për kapjen e këtij shtetasi;
-u identifikuan dhe u arrestuan 8 shtetasit e përfshirë në konflikt: K. S. (P.), 40 vjeç, E. A., 43 vjeç, E. R., 39 vjeç, B. T., 24 vjeç, E. T., 35 vjeç, D. T., 30 vjeç, E. S., 47 vjeç dhe K. S., 53 vjeç, të akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, thuhet në njoftimin e policisë.