Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Kembrixhit ka zbuluar prova të reja, edhe pse ende të pasigurta, që sugjerojnë praninë e jetës në një planet të largët jashtë sistemit tonë diellor.
Duke përdorur të dhënat nga Teleskopi Hapësinor James Webb i NASA-s, studiuesit kanë analizuar atmosferën e planetit K2-18b dhe kanë identifikuar molekula që, në Tokë, prodhohen vetëm nga organizma të thjeshtë biologjikë.
Ky është herën e dytë që kimikate të lidhura me jetën janë zbuluar në atmosferën e këtij planeti, por kjo herë konsiderohet si më premtuesja.
Megjithatë, si ekipi i Kembrixhit ashtu edhe astronomë të pavarur paralajmërojnë se nevojiten më shumë të dhëna për të konfirmuar rezultatet.
“Ky është indikatori më i fortë deri tani që mund të ketë jetë atje jashtë,” tha profesori Nikku Madhusudhan, drejtues i kërkimit, për BBC-në. “Mund të them me realizëm se brenda një apo dy vitesh mund ta konfirmojmë këtë sinjal.”
K2-18b është rreth dy herë e gjysmë më i madh se Toka dhe ndodhet 124 vite dritë larg, një distancë e paarritshme për njerëzit me teknologjinë aktuale.
Falë fuqisë së teleskopit JWST, shkencëtarët mund të analizojnë përbërjen kimike të atmosferës së planetit nëpërmjet dritës që kalon përmes saj nga ylli i vogël i kuq rreth të cilit orbitohet planeti.
Ekipi zbuloi gjurmë të mundshme të një ose dy molekulave që lidhen ngushtë me jetën: dimetil sulfidi (DMS) dhe dimetil disulfidi (DMDS) – gaze që në Tokë prodhohen nga fitoplanktoni detar dhe bakteret.
Profesor Madhusudhan tha se u befasua nga sasia e madhe e gazit të zbuluar: “Sasia që ne llogarisim është mijëra herë më e lartë se në Tokë. Pra, nëse kjo lidhet me jetë, atëherë planeti do të jetë i mbushur me jetë.”
Ai shtoi se nëse vërtetohet jeta në K2-18b, “do të konfirmonte që jeta është shumë e përhapur në galaktikë”.
Por kjo nuk është ende një “zbulim” i plotë. Për ta quajtur të tillë, shkencëtarët duhet të jenë të sigurt në një nivel 99.99999%, të ashtuquajtur “pesë sigma”.
Aktualisht, rezultatet janë në nivelin “tre sigma”, ose 99.7%, që megjithëse tingëllon i lartë, nuk është i mjaftueshëm për t’u pranuar gjerësisht si provë shkencore.
Profesorja Catherine Heymans nga Universiteti i Edinburgut, e cila nuk është pjesë e ekipit të kërkimit, thekson: “Edhe nëse jemi të sigurt për praninë e gazit, nuk mund të themi me siguri se është i një origjine biologjike, sepse në Univers ndodhin shumë gjëra të çuditshme që mund ta shpjegojnë në mënyrë jo-biologjike.”
Shkencëtarët po bashkëpunojnë me ekipe të tjera për të provuar në laborator nëse DMS dhe DMDS mund të prodhohen në mënyrë abiotike (pa përfshirjen e jetës).
Sipas Prof. Madhusudhan, “kjo është një deklaratë e madhe, nëse është e vërtetë”, prandaj ai theksoi nevojën për kujdes dhe më shumë vëzhgime: “Ne duam ta çojmë provën në atë nivel që të ketë më pak se një në një milion shanse që të jetë një rastësi.”
Shkencëtarë të tjerë kanë dhënë interpretime të ndryshme për të dhënat.
Disa mendojnë se planeti ka një oqean të madh uji, sepse në atmosferën e tij mungon amoniaku – që mund të thithet nga një trup i madh ujor. Por të tjerë, si prof.
Oliver Shorttle nga Cambridge, sugjerojnë se mund të jetë një oqean shkëmbi të shkrirë – duke e përjashtuar praninë e jetës.
Ndërkohë, Dr. Nicolas Wogan nga Qendra Kërkimore Ames e NASA-s ka propozuar që K2-18b mund të jetë një mini gjigant gazor pa sipërfaqe.
Të gjitha këto hipoteza janë objekt i debatit të fortë shkencor, sidomos për shkak të vështirësisë në interpretimin e dritës së zbehtë që kalon nëpër atmosferat e këtyre botëve të largëta.
Profesori Chris Lintott, prezantues i programit The Sky at Night, i cilësoi këto zhvillime si pjesë të një përpjekjeje të madhe për të kuptuar Universin, por kërkoi kujdes me entuziazmin e tepruar: “Kemi pasur momente të tilla më parë,” tha ai për BBC Radio 4.
Vetë Prof. Madhusudhan mbetet me shpresë: “Dekada më vonë, mund të shohim pas dhe ta kuptojmë se kjo ishte pika kur koncepti i një universi të gjallë u bë i prekshëm. Kjo mund të jetë pika e kthesës që na çon drejt përgjigjes përfundimtare në pyetjen nëse jemi të vetëm në univers.”
Kërkimi është publikuar në revistën shkencore The Astrophysical Journal Letters.