Tabaku: PD ka raporte të mira me SHBA-në


Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ftuar në emisionin Open në News24, foli për fushatën zgjedhore të 11 majit dhe sfidat me të cilat po përballet partia. Ajo theksoi marrëdhëniet e mira të PD-së me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ngriti shqetësimin për mungesën e një debati të thelluar politik.

“Shqiptarët meritojnë një debat të ndershëm mbi ekonominë. Nuk duhet të ngecim në të shkuarën,” u shpreh Tabaku.

Ajo shtoi se strategjia e fushatës së PD-së është ndërtuar nga konsulenti politik La Civita dhe se partia ofron një program më të mirë për qytetarët.

“Pavarësisht skepticizmit, ne po punojmë fort. Po zhvillojmë takime derë më derë, sipas modelit amerikan të zgjedhjeve. Trump fitoi sepse u fokusua te ekonomia e përditshme – dhe kjo është ajo që po bëjmë edhe ne,” deklaroi Tabaku.