“Vetëm Lëvizja Bashkë ka program serioz”- Arlind Qori: PS kopjon premtimin për pensionet


Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka reaguar ashpër ndaj Partisë Socialiste, duke e akuzuar për mungesë të thellë serioziteti dhe manipulim të qytetarëve me premtime të momentit, pa një program të qartë e të strukturuar.

Ai theksoi se Lëvizja Bashkë është e vetmja forcë politike që ka një program të detajuar, me 177 faqe, nga të cilat 20 i kushtohen ekskluzivisht reformës së pensioneve. Sipas tij, përmes uljes së informalitetit në punë dhe luftës kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal, është e mundur të rritet pensioni minimal në 21,068 lekë të reja dhe pensioni mesatar nga 18 mijë në 33 mijë lekë.

Në fund, Qori u bëri thirrje qytetarëve të votojnë me ndërgjegje dhe duke lexuar programet e partive politike.

“Sude me gjyzlykë më quajti Edi Rama përpara disa muajsh kur po protestonim bashkë me pensionistët për pensione dinjitoze.

Dhe a e dini pse?

Sepse Lëvizja Bashkë kërkonte që pensioni minimal të llogaritej në bazë të minimumit jetik.

Del sot PS dhe premton të njëjtën gjë, thotë që pensioni minimal do të shkojë rreth 20 mijë lekë të reja sa është mendojnë ata standarti i minimumit jetik.

Ky është karagjozllëk, ky është të tallesh me qytetarët, kjo është të kërkosh ti manipulosh ata orë e çast. Partitë e vjetra, PS, PD nuk kanë pikën e programit.

Mendojnë një gjë para një minute e hedhin aty në qarkullim publik, thonë leta haj kush ta haj. E vetmja parti që në këto zgjedhje ka program serioz, të mirëstrukturuar është Lëvizja Bashkë. 177 faqe program nga të cilat 20 faqe janë vetëm për çështjen e pensioneve.

Ne kemi argumentet ekonomike, ku mund të sigurohen të ardhurat për ta rritur pensionin, për ta çuar pensionin minimal 21 mijë e 68 lekëtë reja dhe pensionin mesatar nga 18 mijë lekë në 33 mijë lekë të reja duke përgjysmuar informalitetin në punë që është krejt e arritshme për ta bërë nivelin e Serbisë, Maqedonisë ne mund të rikuperojmërreth 530 milion euro.

Pastaj duke luftuar korrupsionin evazionin fiskal e shumëçka tjetër mund të sigurojmë të ardhurat jo vetëm për të rritur në mënyrë të qëndrueshme pensionent por edhe për të investuar në shëndetësinë publike, në arsimin publik.

Ndaj ju lutem shumë qytetarë votoni me ndërgjegjie, votoni duke lexuar programet e partive duke peshuar seriozitetin e partive dhe në fund fare besoj do të arrij në të njëjtin përfundim si unë se në datën 11 maj ka vetëm një alternativë, ajo do të ketë numrin 2 në listën e partive politike në ditën e votimit dhe ka emrin Lëvizja Bashkë.”