Arben Malaj: Taksa e sheshtë 10% është dështim, ndryshimet në TVSH rrezikojnë të ardhurat në buxhet


Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka kritikuar ashpër propozimin e Partisë Demokratike për rikthimin e taksës së sheshtë 10%, duke e cilësuar atë si një dështim të provuar dhe jo një model të suksesshëm.

I ftuar në emisionin Log në News24, Malaj theksoi se të ardhurat nga një sistem i tillë taksimi nuk arrijnë të kompensohen as nga rritja ekonomike. Ai kujtoi se gjatë periudhës 2009–2013, kur taksa e sheshtë ishte në fuqi, qeveria u detyrua të ndërmarrë veprime të papërgjegjshme fiskale.

“Taksa e sheshtë 10% është një dështim. Të ardhurat që vijnë nga kjo taksë nuk kompensohen dot përmes rritjes ekonomike. Si pasojë, qeveria ndalon rimbursimet, shkon deri në shitjen e hidrocentraleve për të përballuar pagesat, dhe bllokon detyrimet e saj ndaj biznesit,” tha Malaj.

Ai gjithashtu kritikoi propozimet për ndryshime në TVSH, duke paralajmëruar se fragmentimi i saj në grupe të ndryshme shoqërore do të krijonte humbje të mëdha në të ardhurat e shtetit.

“Flitet për ndarje të TVSH-së në grupe të caktuara për arsye sociale. Kjo është në përputhje me direktivat e BE-së, por do të sjellë pasoja negative në buxhet. Ne do përjashtojmë gati dy të tretat nga pagimi i TVSH-së me të njëjtin nivel, çka do të çojë në rënie të të ardhurave,” deklaroi Malaj, duke shtuar se vendet nordike, të cilat aplikojnë një normë TVSH-je prej 25%, arrijnë të financojnë politika sociale falë këtij sistemi.

Ai theksoi se vendime të tilla fiskale duhet të merren me kujdes të madh, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin ekonomik dhe funksionimin e shtetit.