Atentati në Lundër me 4 të plagosur, dyshohet se u ngatërrua shënjestra


Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë, ku u plagosën katër persona, mes tyre djali dhe nipi i pronarit të kompanisë së sigurisë “Pelikan Security”.

Grupi hetimor ka dyshime se shënjestër e atentatit të ketë qenë gruaja e Roan Brahimajt, babai i të cilit u vra po pasditen e djeshme në Pllanë të Lezhës.

Dyshimet janë pasi gruaja e tij përdor makinë të ngjashme me atë të 4 personave të plagosur në Lundër mbrëmjen e djeshme, vetëm pak orë pas ngjarjes në Lezhë.

Mësohet se gruaja e Brahimit ka edhe shtëpinë afër me familjen Demiraj. Burime bëjnë me dije se ka dyshime të forta që shënjestër e sulmit të ketë qenë gruaja e Roanit dhe 4 të plagosurit të jenë qëlluar gabimisht. Hetuesit dyshojnë se grupi i vrasësve ka pasur 2 plane ditën e djeshme, eliminimin e disa familjarëve të familjes Prendi, por në njërën prej tyre koincidenca e ngjashmërisë së makinës ka bërë të ngatërrohet tërësisht objektivi.

Ngjarja ndodhi pas një feste ditëlindjeje në Pjezë të Shijakut, ku fëmijët ishin me shokun e tyre, 19-vjeçarin Kian Mullahi, i sapokthyer nga studimet në Londër, dhe të shoqëruar nga shoferi i kompanisë, Arens Stafa, 34 vjeç. Pas festës, ata po ktheheshin drejt banesës në një rezidencë në zonën e Lundrës, kur në rrethrrotullimin e Shkozës rreth orës 21:30, persona ende të paidentifikuar i zunë pritë dhe hapën zjarr ndaj automjetit luksoz “G Class”.

Autorët, që dyshohet të kenë qenë dy dhe kanë vepruar me motor, kanë qëlluar me breshëri plumbash deri në afërsi të Agropark-ut. Pavarësisht të shtënave, shoferi ka vijuar drejtimin e makinës për t’u larguar nga vendi i sulmit, por automjeti është përplasur pranë zonës së Lundrës, pasi dyshohet se nuk kanë funksionuar frenat, raporton Shqiptarja.com.

Të plagosurit janë ndihmuar nga kalimtarë të rastësishëm dhe janë dërguar në Spitalin e Traumës dhe në një spital privat në Tiranë. 11-vjeçari është në gjendje të rëndë, djali i pronarit të kompanisë ndodhet në spital, ndërsa 19-vjeçari dhe shoferi janë jashtë rrezikut për jetën.

Të plagosurit kanë deklaruar në polici se nuk kanë pasur konflikte me askënd, ndërsa edhe shoferi rezulton pa precedentë penalë. Deri tani, policia nuk ka gjurmë nga autorët dhe nuk përjashtohet pista e një ngatërrimi të mundshëm të shënjestrës. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të atentatit.