Deputeti i PS-së Bledi Çuçi u kërkoi gjimnazistëve që votojnë për herë të parë, të ndikojnë të prindërit që ata të votojnë PS-së në zgjedhjet e 11 majit.
Bashkë me Çuçin ishin edhe një pjesë e kandidatëve socialistë, ndërsa premtoi se brenda vitit 2030, Shqipëria do hyjë në BE.
“Ju që votoni për herë të parë nuk do duhet të humbisni këtë shans. Unë mendoj që ka ardhur koha që rinia të votojë sipas bindjes që ajo krijon dhe sipas realitetit që ajo sheh dhe duhet të shkëputet nga detyrimi familjar që herë pas here ndodh dhe shkon me preferencën politike të prindërve. Madje duhet të ndikojë te prindërit që të bëjnë zgjedhjen e ofertës më të mirë politike që ka në një moment të caktuar një vend”, deklaroi Çuçi.
Drejtuesi politik i PS-së në këtë qark tha se Vlora ka pësuar shndërrim kolosal në 12 vitet e qeverisjes socialiste.
“E kuptoni se sa rëndësi ka qoftë edhe një votë e juaja dhe nuk duhet të shkojë dëm, aq më tepër në 11 maj kur ne nuk votojmë thjesht për vazhdimin e transformimit të ndryshimit të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare që kemi nisur ta bëjmë prej vitit 2013, por do të votojmë për një gjë shumë më të rëndësishme. Do të votojmë për të ardhmen tuaj. Në mandatin e ardhshëm, brenda vitit 2030, Shqipëria më në fund do të jetë anëtare me të drejta në Bashkimin Europian. Ju, ne që jemi këtu sot do të kemi një pasaportë europiane. Sidomos për ju që jeni këtu sot do të ketë një përfitim direkt nga kjo pasaportë. Ju do të zgjidhni të bëni studimet e larta apo master në cilin universitet që dëshironi në Europë, pa pagesë. Sepse do të konsideroheni si shtetas europian Çuçi. Ju do të studioni në universitetet më të mira që janë brenda hapësirës së Bashkimit Europian”, shtoi Çuçi.