Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë fjalës së tij në Konferencën e 8-të Shkencore të Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, tha se beteja kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është ende një sfidë madhore.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për ndërtimin e një sistemi drejtësie të paanshëm dhe efektiv.
“Pa drejtësi nuk ka paqe, pa llogaridhënie nuk ka demokraci,” u shpreh Dumani, duke shtuar se SPAK është produkt i reformës në drejtësi dhe vepron ndaj kujtdo, pavarësisht lidhjeve me krimin.
“Kënaqësi të gjendem këtu. Larmia e temave është tërheqëse, por qenia ime sot këtu është në vazhdën e takimeve të organizuara edhe në universitete të tjera për të vazhduar komunikimin tonë ndërinstitucional.
Besimi dhe drejtësia janë elementë të rëndësishëm; pa drejtësi nuk mund të ketë paqe dhe pa llogaridhënie nuk mund të ketë demokraci.
Reforma në drejtësi u realizua me ndryshimet thelbësore kushtetuese. SPAK u krijua për të goditur fenomenet që dëmtojnë shtetin.
SPAK është një ndër produktet e reformës në drejtësi dhe ka treguar se ushtron të drejtën ndaj çdo subjekti, pavarësisht lidhjeve me botën e krimit të organizuar apo të objekteve të caktuara. Jemi të vetëdijshëm që ka shumë punë ende për të çrrënjosur krimin e organizuar.
Dëshiroj të theksoj se përpjekjet për ndërtimin e një sistemi drejtësie të paanshëm nuk mund të jenë të njëanshme pa ndihmën e shumë institucioneve në bashkëpunim”, tha ai.