Federata Shqiptare e Sportit Universitar (FSHSU) ka deklaruar publikisht mbështetjen e saj ndaj vendimit të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për të mos marrë pjesë në Asamblenë e 31-të të Përgjithshme të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), e cila është planifikuar të mbahet më 23 prill 2025.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar në faqen e internetit të FSHSU, theksohet se vendimi vjen në reagim ndaj, siç thuhet, “refuzimit të padrejtë” të KOKSH për të përfshirë në rendin e ditës kërkesën zyrtare të FSHF-së për të diskutuar zbatimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës së Arbitrazhit për Sportin (CAS).
“Në vend të kësaj,” – thuhet në deklaratë – “në rend dite është vendosur një monolog i paralajmëruar i Presidentit të shkarkuar të KOKSH, duke përjashtuar çështje me rëndësi thelbësore për organizatën.”
Vendimi i CAS, sipas FSHSU-së, ka shpallur të pavlefshme disa procese dhe vendime të mëparshme të KOKSH, duke evidentuar shkelje të rënda të të drejtave të anëtarëve dhe procedurave statutore.
“Refuzimi për të dëgjuar një anëtar me të drejta të barabarta bie ndesh me parimet demokratike, Kartën Olimpike dhe Kartën Evropiane të Sportit,” vijon më tej reagimi.
FSHSU shpreh shqetësimin për drejtimin që ajo e cilëson si jo transparent dhe përjashtues të KOKSH, duke theksuar se kjo sjellje po dëmton besimin dhe funksionimin normal të organizatës.
“Nëse federata më e madhe në vend, si FSHF, nuk mund të shprehë qëndrimin e saj në një forum që duhet të mishërojë barazinë dhe demokracinë, atëherë asnjë anëtar nuk mund të ndihet i mbrojtur,” theksohet në njoftim.
Në përfundim, FSHSU konfirmon se nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e ardhshme të KOKSH, duke e cilësuar këtë si një veprim proteste dhe solidariteti ndaj një procesi që e konsideron të deformuar dhe të padrejtë.
“Do të vijojmë të mbështesim ligjshmërinë, transparencën dhe përfaqësimin e barabartë, si themele të një sistemi sportiv të drejtë dhe demokratik,” përmbyllet deklarata.