Përfaqësuesit e Iranit po përpiqen të sigurojnë mbështetjen e Rusisë përpara raundit të dytë të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara rreth programit të avancuar bërthamor të Teheranit, i cili do të zhvillohet këtë fundjavë në Romë.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se e ka informuar homologun rus, Sergey Lavrov, për ecurinë e raundit të parë të bisedimeve që u zhvillua javën e kaluar në Oman, përcjell Euronews.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Moskë, Araghchi vlerësoi rolin që Rusia kishte luajtur në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe tha se shpreson që Moska të vijojë të mbështesë çdo marrëveshje të re.
“Jemi shpresëplotë dhe presim që Rusia të vazhdojë rolin e saj mbështetës në çdo marrëveshje të re,” u shpreh Araghchi.
Nga ana tjetër, Lavrov u shpreh i gatshëm të ndërmjetësojë në negociata dhe të luajë çdo rol që do të konsiderohej i dobishëm nga Irani dhe i pranueshëm për SHBA-në.
Ai theksoi se një marrëveshje e mundshme duhet të fokusohet vetëm në çështjet bërthamore.
“Ne nisemi nga fakti që i vetmi opsion është një marrëveshje ekskluzivisht për çështjet bërthamore,” deklaroi Lavrov.
Lavrov gjithashtu konfirmoi se Araghchi ishte takuar një ditë më parë me presidentin rus Vladimir Putin, dhe e kishte përcjellë një mesazh nga Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Ai nuk dha detaje mbi përmbajtjen e mesazhit, por tha se Putin ishte “shumë i kënaqur” me bisedimet.
Marrëveshja e vitit 2015 dhe tensionet aktuale
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 u rrëzua në vitin 2018 pas tërheqjes së njëanshme të presidentit amerikan të atëhershëm, Donald Trump. Pas kësaj, Irani hoqi dorë nga të gjitha kufizimet për aktivitetet e tij bërthamore dhe nisi të pasuronte uranium në nivele deri në 60% – afër nivelit prej 90% që konsiderohet i përshtatshëm për prodhimin e armëve bërthamore.
Ndërkohë, në Paris, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, shprehu shpresën për një zgjidhje paqësore.
“Shpresojmë që bisedimet me Iranin të jenë frytdhënëse dhe të çojnë në diçka konkrete. Të gjithë do të donim një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme,” tha Rubio.
Ai zhvilloi takime me përfaqësues britanikë, francezë dhe gjermanë, duke u kërkuar që të mos heqin sanksionet ndaj Iranit. Rubio paralajmëroi se raporti i ardhshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) pritet të tregojë se Irani jo vetëm që është jashtë përputhshmërisë me marrëveshjen, por është më pranë ndonjëherë ndërtimit të një arme bërthamore.