Nga një takim elektoral në Kamëz, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe deputetja Albana Vokshi kanë artikuluar akuza të forta në drejtim të qeverisë dhe kryebashkiakut aktual Rakip Suli, duke e konsideruar Kamzën si një nga zonat më të goditura nga abuzimi elektoral.
Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje të paligjshme në procesin e legalizimeve në funksion të interesave personale.
“Në këtë bashki, Edi Rama ka legalizuar në kundërshtim me ligjin shtëpinë e tij,” deklaroi ai, duke shtuar: “Kamza ka Rakip Veliajn, përfaqësuesin e një regjimi që e përdor pushtetin për të pasuruar veten dhe për të blerë vota.”
Berisha u ndal edhe te pensionistët, duke i konsideruar një kategori të braktisur nga qeveria aktuale. Ai premtoi se nëse Partia Demokratike vjen në pushtet, brenda 100 ditëve të para çdo pensionist do të përfitojë jo më pak se 200 euro.
“Kjo qeveri ka injoruar pensionistin shqiptar. Brenda 100 ditëve të para të qeverisjes sonë, pensionisti nuk do të marrë më pak se 200 euro,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, deputetja Albana Vokshi hodhi akuza mbi ndërtimet pa leje në zonë, të cilat sipas saj janë pjesë e një skeme për blerje votash.
“Në Kamëz po zhvillohen pazare votash me ndërtime pa leje. U bëjmë thirrje Ramës dhe Rakip Sulit: Mos prekni votën dhe mos kërcënoni votuesin,” tha ajo.
Vokshi theksoi se “më 11 maj merr fund bastisja e Kamzës dhe fillon kthimi i ligjshmërisë”.
Deklaratat vijnë ndërsa fushata për zgjedhjet vendore të 11 majit po hyn në fazën e saj më intensive, dhe Kamza mbetet një ndër bashkitë ku pritet përballje e fortë politike mes mazhorancës dhe opozitës.