Osmani: Serbia po tenton të rikthejë tensionet në Ballkan


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Serbia mbetet burimi kryesor i pasigurisë dhe destabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në një intervistë për TRT Balkan, Osmani ka akuzuar Beogradin zyrtar për veprime agresive dhe përpjekje të përsëritura për të minuar sigurinë e vendeve fqinje.

“Serbia ka vepruar me akte agresioni dhe terrorizmi, ka tentuar destabilizimin e Bosnje dhe Hercegovinës, si dhe ka nxitur tensione me Kroacinë dhe vende të tjera të rajonit,” tha Osmani, duke e cilësuar qeverinë serbe si një faktor që synon kthimin e Ballkanit në të kaluarën.

Presidentja theksoi se Kosova është e përkushtuar për të mbrojtur veten dhe për të kundërshtuar çdo tendencë hegjemoniste që vjen nga Beogradi. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe me NATO-n.

Në këtë kontekst, Osmani foli për Deklaratën për Bashkëpunim Ushtarak të nënshkruar mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke e përshkruar atë si një hap natyral në drejtim të forcimit të sigurisë rajonale.

“Ky bashkëpunim ka ekzistuar prej kohësh dhe tani është formalizuar përmes një marrëveshjeje trepalëshe, e cila është plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s,” u shpreh ajo, duke shtuar se bisedimet për zgjerimin e bashkëpunimit janë në vijim edhe me vende të tjera, pa dhënë emra konkretë.

Duke komentuar reagimet e Serbisë ndaj kësaj marrëveshjeje, Osmani tha se ato janë të pritshme dhe pjesë e një narrative të njohur.

“Këto janë reagime tipike. Por ajo që është më shqetësuese është ndikimi i Serbisë në rajon, shpesh i shoqëruar nga mbështetje nga Rusia, Kina dhe Irani,” theksoi presidentja.

Ajo shtoi se Kosova dhe shtetet e tjera të rajonit janë të përkushtuara për të ndjekur politikat e përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe të ruajnë koordinimin me NATO-n për çështjet e sigurisë.

“Forcat e Sigurisë së Kosovës tashmë marrin pjesë në misione paqeruajtëse në botë, së bashku me SHBA-në, Turqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar,” tha Osmani, duke nënvizuar rolin aktiv të vendit në sigurinë ndërkombëtare.