Premtimet e PD-së, Teliti: Të realizueshme dhe me kosto të llogaritura


Eksperti i ekonomisë pranë Partisë Demokratike, Dorian Teliti, gjatë një interviste në emisionin Log në News24, është shprehur se premtimet ekonomike të PD-së janë të menduara dhe të realizueshme, ndonëse kërkojnë kohë për zbatim.

Teliti u ndal veçanërisht tek paketa e “Dhembshurisë”, e cila ka në fokus sigurimin e një minimumi jetik prej 200 euro për qytetarët, duke e cilësuar si një nga prioritetet kryesore të forcës politike që përfaqëson.

“Premtimet kanë kosto, por janë të realizueshme. Nuk janë për 100 ditë, por për një periudhë më të gjatë. Ne nuk duam të shpikim rrotën, por të ofrojmë zgjidhje për sfidat madhore që ka Shqipëria,” u shpreh ai.

Sipas Telitit, një ndër sfidat kryesore është varësia e lartë e ekonomisë shqiptare nga importet, e cila ka ardhur si pasojë e rrënimit të prodhimit vendas. Ai theksoi nevojën për të rikthyer produktet “Made in Albania” në treg, si mënyrë për të forcuar ekonominë dhe për të krijuar më shumë mundësi punësimi.

“Sot konsumojmë qumësht serb dhe djathë grek, sepse prodhimi vendas është dekurajuar. Duhet të kthejmë në këmbë prodhimin ‘Made in Albania’,” tha Teliti, duke shtuar se përmes politikave të reja ekonomike, PD synon të krijojë një klimë më të favorshme për prodhuesit vendas.

Në lidhje me menaxhimin e financave publike, Teliti nënvizoi se synimi është të reduktohen abuzimet dhe të përmirësohet përdorimi i fondeve shtetërore.

“Ka pasur korrupsion edhe para vitit 2014, por jo në përmasat e sotme. Sot kemi abuzime skandaloze. Ne duam të ndalim këtë rrjedhje dhe të përqendrohemi te mirëqenia e qytetarëve,” tha ai.

Teliti përshëndeti edhe analizat e pavarura mbi premtimet ekonomike të PD-së, duke përmendur si shembull organizatën Altax dhe nevojën për debat të hapur ekonomik.