Prokuroria ka nisur hetimet për dyshime mbi keqpërdorimin e burimeve shtetërore nga Partia Socialiste në qarkun e Fierit, për qëllime elektorale gjatë fushatës.
Reagimi i parë ka ardhur nga drejtuesi politik i Partisë Demokratike në këtë qark, Gazment Bardhi, i cili e cilëson këtë një hap pozitiv, por të pamjaftueshëm. Ai ka kërkuar që çështja t’i kalojë SPAK-ut, duke argumentuar se bëhet fjalë për një rast të një “grupi të strukturuar kriminal”, sipas tij, me në krye zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Ne presim që ligji të veprojë ndaj bandës elektorale të Belinda Ballukut në Fier. Kjo çështje duhet t’i kalojë SPAK-ut për një hetim të plotë dhe të shpejtë,” deklaroi Bardhi përmes një postimi në rrjete sociale.
Sipas tij, qindra punonjës të administratës publike janë përfshirë në veprime të paligjshme, duke braktisur detyrat shtetërore për të ushtruar presion ndaj qytetarëve dhe bizneseve, apo për të ofruar favore në këmbim të votës. Bardhi pretendon gjithashtu se disa individë janë regjistruar në mënyrë fiktive si banorë të qarkut Fier për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.
Duke theksuar rëndësinë e hetimeve të shpejta dhe të pavarura, Bardhi u shpreh i bindur se më 11 maj qytetarët e Fierit “nuk do të nënshtrohen presionit” dhe do të votojnë për ndryshim, duke mbështetur Partinë Demokratike dhe programin e saj ekonomik.
Ndërkohë, nga ana e Partisë Socialiste nuk ka ende një reagim zyrtar për këto akuza.