Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e së enjtes një takim me biznese dhe sipërmarrës në qytetin e Lezhës, ku prezantoi idenë e një “pakti të paqes fiskale” ndërmjet qeverisë dhe sipërmarrjes.
Në fjalën e tij, Rama u ndal fillimisht te perspektiva ekonomike e Lezhës në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian:
“Do krijojmë një ofertë më cilësore dhe bindëse për Lezhën. Ajo që them me siguri nga eksperienca dhe si kanë ecur gjërat, rritja e vlerës së pasurisë do jetë më e madhe. Siç ju ka ndodhur gjithë vendeve të tjera, do na ndodhë dhe neve: me hyrjen në BE, vlera e pasurisë së patundshme dyfishohet. Edhe qasja ndaj pronës ndryshon, sepse ata që janë pjesë e BE-së bëhen më të interesuar të investojnë,” tha Rama.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se shumë shpejt do të zhvillohet një aktivitet me komunitetin e biznesit për të prezantuar në mënyrë të detajuar planin e quajtur paqja fiskale, duke theksuar se kjo është një praktikë që gjen rrënjë që në kohën e Romës së lashtë.
“Kemi një plan dhe duke qenë se ka pasur interes nga bizneset, do bëjmë një shpjegim shterues. Është një mekanizëm i përdorur që në kohët e Romës së vjetër, që nënkupton një marrëveshje mes qeverisë dhe biznesit për kontributin. Nëse biznesi dhe qeveria bien dakord që për vitet e ardhshme unë si biznes do paguaj aq sa kam paguar vitin e kaluar plus rritjen ekonomike, atëherë tatimet marrin përsipër që ti nuk ke më asnjë kontroll, asnjë marrëdhënie me burokracinë,” shpjegoi Rama.
Ai shtoi se një tjetër element i këtij plani është mundësia që u jepet bizneseve për të deklaruar të ardhura të padeklaruara më parë, pa u ndëshkuar për këtë.
“Elementi i dytë është mundësia që u japim bizneseve për t’u kthyer, të deklarojnë të ardhura që nuk i kanë deklaruar më parë për pesë vite, t’i deklarojnë pa marrë asnjë lloj penaliteti, vetëm duke paguar 5% për ato të ardhura,” theksoi Kryeministri.
Ky plan, sipas Ramës, do të shërbejë si një bazë e re besimi dhe bashkëpunimi mes qeverisë dhe sipërmarrjes, për të forcuar klimën e biznesit dhe për të shmangur ndërhyrjet burokratike në aktivitetin e tyre ekonomik.