Rusia dhe Ukraina do të kryejnë nesër një shkëmbim të ri të të burgosurve, ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka bërë të ditur një burim për Sky News.
Sipas burimit, në këtë shkëmbim do të përfshihen rreth 500 të burgosur rusë dhe ukrainas, përfshirë 46 ushtarë të plagosur. Më konkretisht, do të shkëmbehen nga 246 të burgosur nga secila palë.
Që prej fillimit të luftës, Rusia dhe Ukraina kanë kryer disa shkëmbime të të burgosurve, të ndërmjetësuara nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Deri më tani, numri total i personave të shkëmbyer përmes këtij ndërmjetësimi ka arritur në 3,233.
Ky zhvillim vjen në një moment kur Sekretari i Shtetit i SHBA, Marco Rubio, paralajmëroi sot se Uashingtoni mund të heqë dorë nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, nëse brenda pak ditësh nuk shfaqen sinjale të qarta për arritjen e një armëpushimi.