Shtëpia e Bardhë: COVID-19 erdhi nga një laborator në Kinë


Presidenti republikan i SHBA-së, Donald Trump, ka lançuar të premten një faqe zyrtare për COVID-19, në të cilën fajëson origjinën e koronavirusit si rezultat i një rrjedhjeje nga një laborator në Kinë, ndërsa kritikon ish-presidentin demokrat Joe Biden, ish-zyrtarin e lartë të shëndetit në SHBA, Anthony Fauci, si dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Faqja gjithashtu kritikoi masa si distancimi social, detyrimi për maska dhe izolimet, përcjell Reuters.

Trump nisi një proces 12-mujor për të tërhequr SHBA-në — financuesin më të madh të OBSH-së — nga kjo organizatë, që kur mori detyrën në janar.

Fauci, Biden dhe OBSH nuk kanë komentuar menjëherë.

Menjëherë pasi mori detyrën, Trump deklaroi gjithashtu se Fauci — i cili ka marrë kërcënime që nga koha kur udhëhoqi përgjigjen kombëtare ndaj COVID-19 — duhet të sigurojë vetë mbrojtje personale, duke i ndërprerë mbrojtjen nga shteti.

Një zëdhënës i CIA-s deklaroi në janar se agjencia ka vlerësuar se pandemia e COVID-19 ka më shumë gjasa të ketë dalë nga një laborator sesa nga natyra. Megjithatë, CIA tha se kishte “besim të ulët” në këtë vlerësim dhe se të dyja skenarët — origjina laboratorike dhe ajo natyrore — mbeten të mundshme.

Qeveria kineze ka deklaruar se e mbështet dhe ka marrë pjesë në kërkime për të përcaktuar origjinën e COVID-19, duke akuzuar Uashingtonin se po e politizon këtë çështje, veçanërisht përmes përpjekjeve të agjencive të inteligjencës amerikane për të hetuar.

Pekini ka theksuar se nuk ka asnjë besueshmëri në pretendimet se pandemia ka dalë nga një laborator.