Të shtëna në Universitetin Shtetëror të Floridës, 2 viktima, 6 të plagosur


Një ngjarje e rëndë ndodhi të enjten në Universitetin Shtetëror të Floridës, ku një 20-vjeçar hapi zjarr me armën e nënës së tij, duke vrarë dy persona dhe plagosur të paktën gjashtë të tjerë, sipas hetuesve.

Policia mbërriti shpejt në vendngjarje dhe qëlloi ndaj autorit pasi ai refuzoi urdhrat. Shefi i policisë së Tallahassee, Lawrence Revell, tha se sulmuesi u plagos gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit.

Ende nuk është bërë i ditur motivi i sulmit, i cili ndodhi rreth mesditës pranë ndërtesës kryesore të studentëve. Të frikësuar, studentë dhe prindër u fshehën në një qendër bowling-u dhe një ashensor mallrash brenda godinës.

Sulmuesi është identifikuar si Phoenix Ikner, dhe besohet se ishte student në këtë universitet. Dy viktimat nuk ishin studentë, tha shefi i policisë së universitetit, Jason Trumbower, pa dhënë detaje të tjera për identitetin e tyre.

Policia bëri të ditur se Ikner kishte përdorur armën e nënës së tij, e cila ka punuar për më shumë se 18 vite në zyrën e sherifit dhe është konsideruar si një punonjëse shembullore. Kjo armë ishte më parë armë shërbimi, që më pas ajo e kishte mbajtur për përdorim personal pasi departamenti kaloi në armatim më të ri.

Pesë nga të plagosurit u qëlluan me armë zjarri, ndërsa njëri u lëndua duke u përpjekur të largohej nga vendi i ngjarjes. Sipas spitalit Tallahassee Memorial HealthCare, të gjithë ndodhen në gjendje të qëndrueshme.

Sherifi i Qarkut Leon, Walt McNeil, tha se Ikner ka qenë anëtar i vjetër i këshillit rinor këshillues të zyrës së sherifit dhe ishte përfshirë në disa programe trajnimi. “Nuk është befasi për ne që ai kishte qasje në armë,” tha McNeil./AP