Ndërsa muzetë në mbarë botën festojnë 250-vjetorin e lindjes së JMW Turner, është momenti të rishikojmë pikturën e tij të famshme “The Fighting Temeraire”
Piktura “The Fighting Temeraire” e JMW Turner-it u bë një simbol kombëtar kur u prezantua për herë të parë në vitin 1839 dhe që atëherë ka ruajtur famën e saj. Ajo është votuar si piktura e preferuar e britanikëve dhe aktualisht ndodhet edhe në kartëmonedhën 20 £. Por mesazhi që shumica mendojnë se përcjell kjo pikturë mund të jetë ndryshe nga qëllimi i vërtetë i Turner-it.
“Temeraire” në titull i referohet një anijeje luftarake britanike me 98 topa, e cila shihet në sfondin e pikturës. Ajo ishte një hero i luftës kundër Francës gjatë Luftërave Napoleonike, por në vitin 1838, u çmontua dhe u shit për pjesë, gjë që tërhoqi vëmendjen e publikut. Piktura e Turner tregon këtë anije të dikurshme madhështore teksa tërhiqet përgjatë lumit Thames nga një rimorkiator me avull, shumë më modern.
Në filmin e James Bond, Skyfall (2012), një skenë përfshin një moment të shkurtër përballë kësaj pikture. Bond (Daniel Craig) takon Q-në e ri (Ben Whishaw) në Galerinë Kombëtare të Londrës dhe ata ndalojnë përballë pikturës. “Gjithmonë më bën të ndihem pak melankolik,” thotë Q, duke nënvizuar kontrastin midis tij, teknologjik dhe modern, dhe Bondit të stilit të vjetër. “Një anije luftarake e vjetër që po tërhiqet me turp për t’u çmontuar.”
Kjo skenë pasqyron mendimin e zakonshëm se piktura sjell një ndjenjë nostalgjie dhe humbjeje të lavdisë kombëtare. Sipas kësaj pikëpamjeje, Temeraire është heroina e heshtur, ndërsa rimorkiatori shihet si figura negative. Në shekullin e 19-të, shkrimtari William Makepeace Thackeray e quajti rimorkiatorin “një avullore e vogël, e keqe dhe djallëzore”, ndërsa shkrimtari amerikan Herman Melville e përshkroi si “një tërheqës pigme” krahasuar me “Titanin Temeraire”.
Një besim i zakonshëm për The Fighting Temeraire të Turner-it është se ai ngjall një ndjenjë të lavdisë kombëtare të zbehur (Kredia: Galeria Kombëtare, Londër)
Mund të kuptohet lehtësisht pse publiku i kohës së Turner-it ndiente simpati për HMS Temeraire një anije krenare, por tashmë e përulur, që po përballej me fundin e saj. Në vitin 1804, kjo anije kishte luajtur një rol të rëndësishëm në bllokimin e porteve franceze dhe në mbrojtjen e brigjeve të Britanisë. Por momenti i saj më i lavdishëm erdhi pasditen e 21 tetorit 1805, në brigjet jugperëndimore të Spanjës, në Oqeanin Atlantik.
Në atë çast vendimtar, po zhvillohej Beteja e Trafalgarit një përplasje e ashpër mes Marinës Mbretërore Britanike dhe flotës së përbashkët të Spanjës dhe Francës. HMS Victory, anija e komanduar nga admirali legjendar Lord Nelson, ishte në qendër të sulmit, por po pësonte goditje të rënda nga anija franceze Redoubtable.
Nga tymi i betejës doli në skenë HMS Temeraire, e ndjekur nga disa anije të tjera britanike të gatshme për betejë. Temeraire sulmoi Redoubtable me artilerinë e saj dhe u godit rëndë në këmbim një stuhi predhash që la plagë dhe gjak në kuvertën e saj. Por, si një luftëtare e fortë, Temeraire nuk u tërhoq. Ajo mbrojti me guxim anijen aleate dhe luajti një rol kyç në fitoren e madhe të Britanisë në këtë betejë historike.
Turner ishte 64 vjeç kur pikturoi “The Fighting Temeraire”. Ai kishte lindur në vitin 1775, pranë zonës Covent Garden në Londër, dhe në moshën 14-vjeçare u pranua në Akademinë Mbretërore të Arteve, një nga institucionet më prestigjioze të kohës. Në moshën 24-vjeçare u bë Akademik, dhe kur ishte vetëm 32 vjeç u emërua Profesor i Perspektivës.
Turner ishte gjithashtu shumë sipërmarrës. Hapi galerinë e tij private, kërkonte klientë të pasur dhe ishte gjithmonë në kërkim të projekteve të reja artistike që do të tërhiqnin publikun dhe do të ishin fitimprurëse. Në njëfarë mënyre, “The Fighting Temeraire” përmbush dëshirën e tij për popullaritet, sepse përçon ndjenja të forta krenarie kombëtare.
Duke kombinuar në mënyrë mbresëlënëse të vjetrën me të renë, kjo pikturë paraqet një ndryshim të madh fillimin e një epoke të re, të pas-industrializmit, në historinë njerëzore.
Por kjo vepër ka edhe një mesazh më të thellë se sa vetëm patriotizëm apo ndjenja nostalgjie. Vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm te anija e madhe, por edhe te rimorkiatori i vogël – elementi i ri në pikturë që shpesh është nënvlerësuar. Ai është në të vërtetë qendra e mesazhit të Turner.
Avulli dhe makineritë ishin risitë më të mëdha të kohës, dhe qëndrimi i Turner ndaj kësaj teknologjie të re ishte shumë më kompleks sesa ai i autorëve si Thackeray, Melville apo edhe personazhit Q në filmin Skyfall. Në piktura të tjera si “Stuhia e dëborës – Varkë me avull” (1842) apo “Shiu, avulli dhe shpejtësia” (1844), shihet qartë sa i magjepsur ishte ai nga makineritë moderne dhe ndikimi i tyre në jetën e njeriut, në mjedis dhe në shoqëri.
Kjo e veçon Turner-in nga rivali i tij i madh, John Constable, i cili vinte nga një familje e pasur dhe zakonisht shmangte në artin e tij ndryshimet e mëdha që po ndodhnin në Britani gjatë asaj kohe.
Në pikturën e famshme të vitit 1821, “The Hay Wain”, John Constable paraqet një karrocë të vjetër që lëviz qetësisht në një peizazh të bukur dhe të qetë anglez. Ndryshe nga kjo, në “The Fighting Temeraire”, Turner vendos shikuesin përballë një force të madhe që po ndryshon botën – fuqisë së industrisë që po përparon me shpejtësi.
Ndërsa John Constable e përshkruante fshatin britanik si të qetë dhe piktoresk, Turner përqafoi ndryshimet që preknin shoqërinë në artin e tij (Kredia: Galeria Kombëtare, Londër)
Ndërsa Constable e paraqiste fshatin britanik si të pandryshuar dhe të qetë, Turner përqafoi ndryshimet e mëdha që po ndodhnin në shoqëri dhe i solli ato në veprat e tij. Në kohën kur ai pikturoi “The Fighting Temeraire”, Marina Mbretërore kishte nisur të përdorte gjithnjë e më shumë anije me avull për të lëvizur anijet e mëdha, dhe po fillonte të zëvendësonte flotën me vela me fregata të reja me motor.
Por fundi i anijes Temeraire nuk ishte thjesht ndërrim teknologjie – ishte një revolucion i vërtetë në botën detare. Për mijëra vjet, detarët lëviznin me erë ose me rrema. Tani, falë avullit, ata mund të sfidonin stuhitë, baticat dhe rreziqet e natyrës. Ishte e qartë se e ardhmja do të ishte e drejtuar nga energjia me avull – por askush nuk e dinte saktë si do të ndryshonte kjo mënyrën e udhëtimit, tregtisë apo luftës në det.
Turner e kuptoi këtë ndryshim të madh. Që nga koha e Odisesë së Homerit, lundrimi ka qenë një simbol i udhëtimit jetësor. Në pikturën e tij, ai bashkon të vjetrën me të renë dhe paraqet një moment të fuqishëm kalimi fillimin e një epoke të re, pas-industriale, në jetën njerëzore.
Turner ishte i vetëdijshëm për rolin që artistët duhet të luajnë në kohë ndryshimesh të mëdha. Ai e kuptonte se koha e pikturimit të anijeve me vela, me detaje dekorative dhe zbukurime klasike, po përfundonte. Sfida e kohës moderne për artistët, sipas tij, ishte të shihnin bukurinë dhe rëndësinë në gjërat e reja në forma që nuk ishin përshkruar më parë në art, si motorët, pistoni, valvulat apo rrotat e makinave.
Në “The Fighting Temeraire”, Turner e përballon këtë sfidë me guxim, duke e kthyer rimorkiatorin me avull që shpesh shihej si “i keq” në një simbol të fortë të transformimit.
Turner gjithashtu ndryshoi edhe stilin e tij të pikturës për t’u përshtatur me këtë temë. Ai përdori pigmente të reja si Lemon Yellow dhe Scarlet Lake dhe, sipas analizave, eksperimentonte me përbërës nga kuzhina për të krijuar efektet që dëshironte – si dhjami, yndyra e gatimit apo vaji i sallatës.
Interesi i tij për teknologjinë dhe për teknika të reja ndikoi drejtpërdrejt te artistët e brezit pasardhës. Piktorët impresionistë si Claude Monet dhe Camille Pissarro ishin të mahnitur nga puna e Turner. Një gdhendje e pikturës së tij “Shiu, avulli dhe shpejtësia” u shfaq edhe në ekspozitën e parë impresioniste në Paris, në vitin 1874 një moment i rëndësishëm në historinë e artit modern.
La Lokomotiva e Félix Bracquemond, 1873, e bazuar në shiun, avullin dhe shpejtësinë e Turnerit, u shfaq në ekspozitën e parë impresioniste në Paris (Kredia: Muzeu Metropolitan)
Në vitin 2025, për nder të 250-vjetorit të lindjes së tij më 23 prill, Turner do të nderohet me disa ekspozita në vende si Galeria e Arteve Walker në Liverpool, Shtëpia e Turnerit në Twickenham dhe Qendra Yale për Artin Britanik në SHBA.
Megjithëse shpesh konsiderohet si një pikturë nostalgjike për kohët e kaluara, “The Fighting Temeraire” ka në thelb një mesazh shumë më të fuqishëm. Ajo flet për ndryshim dhe për transformim jo për vajtim. Turner na mëson të mos kemi frikë nga risia dhe të mos mbetemi të ngjitur pas së kaluarës. Kjo qasje ndaj botës është, në fakt, trashëgimia më e qëndrueshme që ai i ka lënë artit modern.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e BBC
Përshtati për Hashtag.al, Aurora Hoxha