Ukraina vendos sanksione ndaj tre kompanive kineze


Ukraina vendosi sanksione ndaj tre kompanive kineze të premten, duke pretenduar se ato ishin të përfshira në prodhimin e raketave të avancuara Iskander, një ditë pasi presidenti Volodymyr Zelensky akuzoi Kinën se po furnizonte me armë Rusinë, përcjell Reuters.

Ministria e Jashtme e Kinës hodhi poshtë më herët të premten akuzën e Zelenskyt si të pabazuar. Edhe pse mban lidhje të ngushta ekonomike me Rusinë gjatë luftës trevjeçare në Ukrainë, Kina ka kërkuar të ruajë një imazh neutraliteti dhe mohon çdo përfshirje në konflikt.

Administrata e Zelenskyt publikoi të premten një listë të përditësuar me entitetet e sanksionuara. Lista, që përfshin edhe kompani ruse, përmend Beijing Aviation and Aerospace Xianghui Technology Co. Ltd, Rui Jin Machinery Co. Ltd, dhe Zhongfu Shenying Carbon Fiber Xining Co. Ltd, të gjitha të regjistruara në Kinë.

Zelensky deklaroi se kompanitë kineze të goditura me sanksione janë të përfshira në prodhimin e raketave Iskander, të cilat janë armë balistike me rreze të shkurtër dhe kapacitet bërthamor, të përdorura gjerësisht nga Rusia në luftë.

Të premten, Ukraina bëri të ditur se raketat Iskander kishin goditur qytetin e Kharkivit në veri të vendit, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e mbi 100 të tjerëve.

“Sot kemi zgjeruar sanksionet tona kundër gati njëqind entiteteve të tjera – persona fizikë dhe juridikë – shumica e të cilëve janë të përfshirë në prodhimin e raketave të tilla si Iskanderët që goditën Kharkivin tonë,” u shpreh Zelensky në një deklaratë në platformën X.

“Shumë nga këto entitete janë ruse, por fatkeqësisht disa janë edhe nga Kina,” shtoi ai.

Sanksionet ndalojnë këto kompani të bëjnë biznes në Ukrainë dhe ngrijnë çdo aset të tyre në vend.

Sipas qeverisë ukrainase, në vitin 2021 Ukraina eksportoi në Kinë mallra me vlerë 8 miliardë dollarë – kryesisht lëndë të para dhe produkte bujqësore – dhe importoi afro 11 miliardë dollarë mallra të prodhuara.

Të enjten, Zelensky deklaroi për gazetarët në Kiev se qeveria e tij kishte prova që kompani kineze po furnizonin Rusinë me artileri dhe barut, si dhe se entitete kineze po prodhonin armë në territorin rus. Ai nuk paraqiti prova për këtë pretendim.

Një javë më parë, Zelensky kishte deklaruar se shtetas kinezë po luftonin në anën e Rusisë, përfshirë dy që ishin kapur robër. Një diplomat kinez u thirr në ministrinë e Jashtme të Ukrainës për të dhënë shpjegime. Zyrtarë ukrainas dhe amerikanë thanë më pas se këta persona ishin bashkuar në konflikt me iniciativë personale për arsye financiare.