Bardhi në Fier: Brenda 100 ditëve të para do të nisë ndryshimi, një votë për PD është një zgjidhje për varfërinë


Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun Fier, Gazment Bardhi, ka intensifikuar takimet me qytetarët në prag të zgjedhjeve, duke shpalosur programin e koalicionit opozitar dhe premtuar ndryshim të prekshëm që në 100 ditët e para të qeverisjes.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Bardhi nënvizon se “një votë për PD-në vlen sa 100 ditë punë për ndryshim”.

Së bashku me kandidatin për deputet në Fier, Dr. Ardian Fero, Bardhi zhvilloi takime me banorë dhe tregtarë të zonës, ku theksoi se çështje si varfëria, largimi masiv i qytetarëve dhe rënia e konsumit mund të zgjidhen vetëm përmes votës dhe përfshirjes qytetare. Ai garantoi se, me mbështetjen e qytetarëve, PD do të sjellë rezultate të menjëhershme që në fillim të mandatit.

“Me një votë për Partinë Demokratike, ne do të vendosim minimumin jetik 200 euro, do të garantojmë pensione jo më pak se 200 euro si në qytet ashtu edhe në fshat, me rritje vjetore prej 20%. Do të rrisim pagën minimale në 500 euro dhe atë mesatare në 1200 euro. Çmimi i energjisë do të ulet në 7 lekë dhe karburanti do të jetë 40% më i lirë”, tha Bardhi.

Duke apeluar për një votë që sipas tij vë interesin e familjes mbi atë të partive, Bardhi theksoi se më 11 maj qytetarët duhet të zgjedhin ndryshimin.

“Zgjidh familjen para partisë! Voto nr.1 për një fillim të ri”, përfundoi ai.