Berisha në Dibër: Nuk kam më ambicie për pasuri, por një mision për të ndryshuar jetën e qytetarëve


Gjatë një vizite në Dibër, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se drejton një koalicion të gjerë prej 25 partish, me qëllimin e përbashkët për të ndryshuar rrënjësisht realitetin politik dhe social në vend. Në fjalimin e tij para mbështetësve, Berisha tha se angazhimi i tij nuk ka lidhje me interesa personale apo luks, por me një përkushtim të thellë për të shërbyer qytetarëve shqiptarë.

Duke përshëndetur atmosferën në Dibër si “pranvera e demokracisë”, ai theksoi rëndësinë historike të kësaj treve për Shqipërinë dhe u shpreh i vendosur që ta kthejë vendin në atë që e quajti “vendi i ëndrrës shqiptare”.

“Jam në krye të një koalicioni prej 25 partish. Në këtë moshë nuk kam asnjë ambicie për pasuri apo luks. Kam vetëm një mision – t’ju shërbej dhe të sjell ndryshimin që meritoni,” u shpreh Berisha.

Ai shtoi se programi i Partisë Demokratike do të jetë i realizueshëm dhe se çdo taksë e mbledhur do të kthehet në shërbime e mbështetje për qytetarët.

Në përmbyllje të fjalës, Berisha u bëri thirrje dibranëve dhe gjithë shqiptarëve që t’i japin fund qeverisjes aktuale dhe të votojnë për një të ardhme më të drejtë dhe më të mirë.