Berisha nga Kombinati: Nëpër Tiranë sillen si hije të zeza përfaqësuesit e PS, nuk i pret kush, të braktisur nga qytetarët


Kreu i PD, Sali Berisha, mbajti një takim të shtunën pasdite me mbështetësit e tij në Kombinat, ku prezantoi kandidatët e tij dhe programin për zgjedhjet e 11 majit. Ai u shpreh se partitë e vogla kanë dalë kundër rotacionit dhe po synojnë të tërheqin vota për të ndihmuar Edi Ramën, duke theksuar se ato janë shërbëtorë të qeverisë.

Berisha foli për sfidat që ka përballuar opozita dhe i bëri thirrje mbështetësve të tij të bashkohen për të realizuar fitoren më 11 maj, duke e quajtur këtë një projekt për çdo shqiptar të ndershëm.

Ai theksoi se ky projekt synon të nxjerrë Shqipërinë nga mjerimi dhe të mundësojë suksesin për ata që punojnë me djersën e tyre.

Kreu i PD gjithashtu përmendi entuziazmin dhe optimizmin që ka hasur gjatë takimeve, veçanërisht në Dibër, duke e krahasuar këtë atmosferë me atë të vitit 1992. 

“Urdhëro, ka një opozitë të vërtetë që po përballet dhëmb për dhëmb dhe deri dje ishte në atë opozitë ti. Po kur të kapën për veshi, të nxorën jashtë, nxjerr teza të tilla. Unë nuk dua rotacionin. Unë jam opozitë e sistemit.

Kjo do të thotë opozitë e opozitës, shërbëtor i qeverisë. Ndaj dhe për ta mbyllur këtë, thirrja ime për ju është kjo: në këto kushte, të gjithë ne jemi misionarë.

Dhe u siguroj ju se si misionarë ne do tejkalojmë çdo censurë, çdo bllokim, çdo kërcënim dhe do realizojmë fitoren e shkëlqyer me datën 11 maj. Ky projekt është projekt për çdo shqiptar të ndershëm pavarësisht nga bindjet e tij politike.

Ky projekt është projekt që kërkon të nxjerrë Shqipërinë nga mjerimi.

Është projekt që kërkon t’i mundësojë suksesin çdo shqiptari që kërkon të jetojë me djersën e tij.

Është projekt që kërkon të mbajë fëmijët shqiptarë këtu për të ndërtuar në Shqipëri ëndrrën e tyre. Ndaj dhe ne të ndalemi në këtë kohë, ditë e natë me çdo qytetar, t’i paraqesim projektin, të diskutojmë.

Ka një klimë të jashtëzakonshme. Unë po vij sot nga Dibra, e kam parë atë klimë vetëm në vitin 1992. Kudo që shkoj gjej një entuziazëm, një optimizëm të pakrahasueshëm me të tjerët.

A e dini që nëpër Tiranë sillen si hije të zeza përfaqësuesit e PS? Nuk i pret kush. Tre vetë presion Erion Braçe, pesë vetë Fatzi Xhafën, Korbën kërkush.

Me një fjalë ecin të braktisur nga qytetarët. Tani unë jam këtu për t’u dëgjuar ju dhe për tu garantuar se kjo infrastrukturë që unë e gjej siç ka qenë shumë vite më parë, do transformohet në mënyrë rrënjësore.

Dhe që askush nuk do mund të vazhdojë të shfrytëzojë si Makbeth fatkeqësinë e tërmetit për t’u degdisur ju jashtë votrave tuaja, për t’u pasuruar në kurrizin tuaj.

Unë jam i vetëdijshëm për problemet që keni, por u garantoj se 11 Maji është përgjigja më e shkëlqyer që u japim atyre”, deklaroi kreu i PD.