Ish-futbollisti Artur Lekbello nderohet me titullin “Legjendë e Futbollit” në Selanik


Artur Lekbello, një nga figurat më të mëdha të futbollit shqiptar, është vlerësuar me titullin “Legjendë e Futbollit” nga Federata Shqiptare e Futbollit. Për shkak të problemeve shëndetësore, ish-mbrojtësi nuk ka mundur të udhëtojë drejt Shqipërisë për ta marrë personalisht çmimin, ndaj drejtuesit më të lartë të FSHF-së udhëtuan drejt Selanikut për ta nderuar atë në mënyrë të posaçme.

Presidenti Armand Duka, nënkryetari Lutfi Nuri, sekretari i përgjithshëm Ilir Shulku dhe përfaqësues të tjerë të FSHF-së i dorëzuan zyrtarisht titullin Lekbellos në një ceremoni të organizuar në një atmosferë miqësore, ku morën pjesë familjarë dhe miq të afërt të tij.

Presidenti Duka shprehu mirënjohjen për kontributin e madh të Lekbellos në futbollin shqiptar dhe për gjurmën e pashlyeshme që ai ka lënë në historinë e këtij sporti.

Artur Lekbello ka qenë një nga mbrojtësit më të spikatur të viteve ’80-’90, me 30 paraqitje me Kombëtaren. Në karrierën e tij, ai ka mbrojtur ngjyrat e 17 Nëntorit dhe më pas të Arisit të Selanikut.