Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale duke akuzuar qeverinë se ka ndarë vendin në dy botë krejtësisht të ndryshme: një për qytetarët e zakonshëm që luftojnë për të mbijetuar, dhe një tjetër për elitën politike që jeton në luks.
Meta e ka cilësuar si të papranueshme situatën ku shumica e qytetarëve e kanë të pamundur të blejnë një shtëpi dhe mezi përballojnë qiranë mujore, ndërkohë që, sipas tij, Kryeministri konsumon verë me vlerë 33 mijë euro shishja.
Në këtë kontekst, kreu i Partisë së Lirisë thekson se është i domosdoshëm një ndryshim rrënjësor dhe u bën thirrje qytetarëve të votojnë më 11 maj për koalicionin opozitar “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Ai gjithashtu kërkon mbështetje si kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës, me premtimin për të kthyer strehimin në një të drejtë të realizueshme për çdo shqiptar.
“11 Maji i jep fund këtyre dy realiteteve. Me fitoren e opozitës, strehimi nuk do të jetë më një ëndërr e paarritshme, por një realitet për çdo familje shqiptare,” shkruan Meta.