Rama për procesin e negociatave: BE thotë se jemi “on top”


Kryeministri Edi Rama ka folur me tone më personale për përvojën e tij gjatë fillimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në episodin e fundit të podkastit të tij “Flasim”, ai ndau ndjesitë dhe pasiguritë që shoqëruan këtë fazë të rëndësishme për vendin.

Rama rrëfeu se në fillim kishte frikë se mos Shqipëria krijonte përshtypjen e një administrate të papërgatitur dhe se procesi i negociatave mund të dështonte për shkak të perceptimeve negative.

“Imagjino sikur të fillojë të fusë ujë varka, të fillojnë varjet e turinjve dhe pastaj pëshpërimat, pastaj të bëhen shurdhuese, që ‘këta nuk janë gati’,” – tha ai për fillimet e procesit.

Megjithatë, sipas Ramës, panorama ndryshoi në mënyrë pozitive kur liderë të rëndësishëm europianë nisën të japin vlerësime inkurajuese për performancën e administratës shqiptare gjatë procesit të screening-ut.

“Papritur filloi një tjetër muzikë… administrata shqiptare u vlerësua nga liderët e BE-së,” tha ai, duke përmendur edhe biseda me homologë nga vende anëtare.

Ndër ta, Rama përmendi Kryeministrin e Holandës, i cili sipas tij i ka thënë:

“Edi, po dëgjoj fjalë të mira nga ekipi shqiptar, mbresat nga Brukseli janë shumë të mira.”

Po ashtu, sipas Ramës, edhe Kryeministri i Danimarkës ka vënë në dukje performancën pozitive të administratës:

“Jeni on top,” – i kishte thënë ai, pas leximit të raporteve të ministrisë së Jashtme.

Kryeministri foli edhe për perceptimet negative që shpesh i atribuohen administratës publike, duke i quajtur si një “refren i përsëritur” që shpesh nuk përputhet me realitetin.

“Padiskutim që administrata ka hijet e veta, nuk diskutohet, por unë personalisht kam pasur më shumë stres nga hijet e saj sesa nga pjesa tjetër,” tha Rama.

Ai e cilësoi fillimin e negociatave si “orën e të vërtetës”, kur nisi procesi i screening-ut – një analizë e thelluar e gjendjes së institucioneve shtetërore shqiptare. Sipas tij, ky është një proces i ngjashëm me një “diagnozë” të plotë të shtetit, ku përballen qindra ekspertë nga Shqipëria dhe BE, të ndarë në dhjetëra grupe pune.