Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe kandidatja për deputete në Tiranë, Barbara Doda, zbuluan në një video të publikuar në rrjetet sociale se kënga e fushatës së tyre është krijuar plotësisht nga inteligjenca artificiale, ChatGPT, me një kosto simbolike prej vetëm 10 dollarësh.
Në një mesazh ironik ndaj partive të vjetra, Shehaj theksoi se Partia Mundësia bën diferencën edhe në detaje të tilla si kënga e fushatës, duke i qëndruar larg praktikave të vjetra ku përdoren VIP-a dhe ofrohen premtime të lira.
“Teksti? ChatGPT. Kompozoi? ChatGPT. Dhe këndoi? ChatGPT.
Diferenca midis asaj që bëjmë ne dhe bëjnë të tjerët dallohet edhe në këtë, edhe në këngën e partisë “Mundësia”.
Të tjerët vazhdojnë në mënyrën e vjetër si në 90-tën, shkojnë e marrin Vip-at, i ofrojnë para ju premtojnë ndere dhe bëjnë pjesë të fushatave elektorale.
Ne jemi totalisht ndryshe edhe në këtë totalisht ndryshe nga partitë e tjera nga partitë e vjetra dhe përsa i takon muzikës te cilen e kemi zgjedhur ta bëjmë në mënyrë moderne inovative.”
Ai shtoi se kjo zgjedhje tregon përkushtimin e Partisë Mundësia për të vepruar me transparencë, efikasitet dhe ide të reja, në kontrast me mënyrën e vjetër të të bërit politikë.
Në fund, ata kërkuan ndihmën e qytetarëve për t’i vendosur një emër zyrtar këngës së fushatës.
“Dëgjojeni dhe na sugjeroni një emër. Dhe mos harroni… 10-tën!” – mbyllin me buzëqeshje.