Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj foli për fushatën e 11 majit dhe theksoi se qëllimi i partisë së tij është që Shqipëria të kthehet në një vend ku qytetarët mund të jetojnë me dinjitet përmes punës së ndershme dhe sipërmarrjes. Shehaj u shpreh se fokusi i partisë është te ndihma për ata që punojnë dhe kanë krijuar mundësi për zhvillim, duke e bërë Shqipërinë një vend ku ia dilet me punë.
Shehaj rrëfeu se gjatë jetës së tij ka pasur një përvojë të pasur pune, duke përfshirë edhe eksperiencën e tij në biznes. Ai theksoi se sipërmarrësit janë punëtorët më të mëdhenj në Shqipëri dhe se ata janë ata që, shpesh nga halli dhe jo nga dëshira, krijojnë bizneset e tyre për të mbijetuar dhe për të ofruar mundësi punësimi për të tjerët. Shehaj theksoi se Partia Socialiste është e lidhur ngushtë me pushtetin dhe politikat e saj, të cilat nuk kanë qenë gjithmonë në shërbim të sipërmarrësve dhe punëtorëve të vërtetë.
Në fjalën e tij, Shehaj shtoi se Shqipëria ka bërë përpara gjatë 34 viteve të fundit, por ai e vlerëson këtë progres si një rezultat të sipërmarrësve dhe jo të qeverisë. Sipas tij, ata kanë përmirësuar shërbimet dhe kanë krijuar mundësi të reja, ndonëse politika nuk i ka mbështetur mjaftueshëm. Shehaj shpjegoi se zgjidhja për zhvillimin e mëtejshëm të vendit nuk është te qeveria, por te ulja e administratës dhe lehtësimi i procedurave për bizneset që të mund të zhvillohen dhe të krijojnë mundësi të reja për qytetarët.
“Shqipëria ka ecur përpara falë sipërmarrësve, të cilët, pavarësisht kushteve të vështira, kanë përmirësuar shërbimet dhe kanë krijuar mundësi. Ne do të vazhdojmë të punojmë për një Shqipëri ku çdo qytetar të mund të jetojë nga puna e tij, dhe ku administrata të jetë në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve”, përfundoi Shehaj.