Zelensky i bën thirrje Putinit për armëpushim afatgjatë


Zelensky deklaroi se luftimet po vazhdojnë në disa fronte dhe shtyu Putinin të “japë paqes një shans”, duke kërkuar zgjatjen e armëpushimit përtej afatit të 20 prillit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Vladimir Putinit të tregojë seriozitet për paqen në Ukrainë, duke rënë dakord për një armëpushim afatgjatë. Kjo kërkesë erdhi pas armëpushimit 30-orësh të shpallur nga presidenti rus, i cili tha se veprimi i tij udhëhiqej nga “konsiderata humanitare”.

Putin më herët i kishte thënë shefit të shtabit të tij ushtarak se armëpushimi do të hynte në fuqi nga pasditja e së shtunës deri në orën 21:00 GMT të së dielës (00:00 me orën e Moskës), duke e cilësuar vendimin si të udhëhequr nga “konsiderata humanitare”.

Menjëherë pas kësaj deklarate, një zyrtar i lartë ushtarak ukrainas i tha BBC-së se njësia e tij dhe të tjerat morën urdhër për të ndaluar zjarrin ndaj pozicioneve ruse disa minuta pas nisjes së armëpushimit.

Megjithatë, civilët ukrainas mbetën skeptikë. Një banore e Kievit tha se pret që raketat të bien gjatë natës, ndërsa një deputet në kryeqytet e quajti armëpushimin një “shaka”.

Ndërkohë, u zhvillua një shkëmbim i mbi 200 robërve të luftës, një nga më të mëdhenjtë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë.

Presidenti amerikan Donald Trump ende nuk ka reaguar, pasi në fillim të javës kishte sugjeruar se SHBA mund të tërhiqet nga përpjekjet për të ndërmjetësuar bisedimet e paqes.