Kjo intervistë u zhvillua në një chat Facebook-u. Frida Mavriqi është një kandidate atipike e cila kandidon në këto zgjedhje për partinë “Mundësia” të Agron Shehajt.
Ndërsa kjo fushatë zgjedhore e shndërroi Fierin në objekt barcoletash me kërcimet e Belinda Ballukut dhe fustanit të saj me toka, apo nga proçkat në rrjetet sociale të kandidates tjetër Zegjine Çaushi, duket sikur partia më e votuar në Fier historikisht, ajo socialiste, i ka lënë opsion veç vulgun kësaj zone besnike.
Mirëpo në lojë nuk janë veç socialistët, e as demokratët klasikë përherë inferiorë në Fier. Frida Mavriqi është një alternativë ndryshe, e cila nuk di të flasë me atë gjuhën e drunjtë që jemi mësuar të dëgjojmë nga kandidatët politikë.
Në këtë intervistë spontane për Hashtag.al, ajo shfaq veten dhe këndvështrimin e saj për një sërë temash, duke nisur që nga Altin Dumani e deri te biznesi i kallamave në Fier.
Si ndodhi që një vajzë që ka studiuar psikologji, angazhohet në gazetari dhe më pas kalon në alternativë politike? Si ndodhi ky proces në trurin dhe jetën tënde?
Rrugëtimi im nuk ka qenë linear le të themi, ndaj nuk është rastësi për mua përfshirja në politikë. Të studioja për psikologji ka qenë e e brendësuar në mua qysh herët, 15-16 vjeçe. Doja të studioja njeriun, qenien humane kaq komplekse se nuk i jepja dot përgjigje shumë sjelljeve, edhe atyre politike me aq sa kuptoja në atë moshë, sepse në shtëpinë time është ndjekur politikë njëjtë sa edhe sporti.
Kështu që studimi për psikologji ka qenë pasioni dhe dëshira ime për t’u zhvilluar personalisht.
Media, më pas dhe gazetaria janë dashuria ime e dytë. Si një natyrë e zëshme që jam, gjithmonë kam dashur të flas dhe raportoj për aspekte të ndryshme të shoqërisë, për të cilat unë mendoj se nuk flitet mjaftueshëm. Puna në media në fakt më dha mundësinë të prekja realitetin e përditshëm dhe padrejtësitë, nga ku kuptova që thjesht t’i raportoja ato nuk mjafton.
Përgjatë viteve të mia në Tiranë, nuk gjeta asnjë forcë politike që të përkonte me bindjet e mia si politike ashtu edhe personale, duhet ose të bëhesha patronazhiste, ose një ushtar partie, gjë që s’përkon me karakterin tim…
Derisa u themelua Partia Mundësia dhe i thashë vetes: “Frida jepi, tani është koha të ushtrosh edhe pasionin tënd që ka kaq kohë rri në pritje…”
Komuniteti kosovar i Fierit, prej nga ju keni origjinën, ka një nuancë të fortë mbështetëse të Partisë Demokratike. Si mendon, si e shohin dhe perceptojnë ata kandidimin tënd?
Pyetje shumë interesante në fakt. Të jem e sinqertë, po, është e vërtetë që komuniteti kosovar në Fier ka pasur gjithmonë një lidhje emocionale me PD-në, por emocionet nuk të mbajnë me punë dhe njerëzit e kanë kuptuar se besnikëria politike nuk duhet të jetë “deri në vdekje”, sidomos kur nuk është kthyer as me respekt, as me rezultate.
Unë s’jam këtu për t’ua ndërruar mendjen me fjalë, por me qëndrim. Disa prej tyre e quajnë guxim kandidimin tim në një parti të re të djathtë dhe shumë të tjerë më falenderojnë që më në fund një “vajzë e tyre” po i përfaqëson ata denjësisht dhe që nuk kërkova favore askund por veprova drejt. Kjo besoj peshon më shumë se çdo logo, sepse kosovarët e Fierit kërkojnë dikë që i përfaqëson ata me shpirt dhe jo me fjalë, e kjo në fakt vlen për gjithë fierakët.
Kur ndodh që bisedon me kryetarin e partisë Agron Shehaj për Fierin, cilat janë dy-tre problemet kryesore që ti ia thekson?
Kur flas me Agronin për Fierin, nuk e zbukuroj fare. Ai tashmë e di se ia kam përsëritur sa e sa herë që Fieri problemin më të madh ka ikjen e të rinjve. Fieri është kthyer në stacion autobusi, sa mbushin 18 vjeç, ikin pa kthyer kokën pas.
E dyta, administrata publike, që është për të vënë duart në kokë, i ngjan një klubi me ftesë, një tufë me të punësuar që rrotullohen nga një karrige në tjetrën, ndërsa qytetarët s’gjejnë një zyrë që të marrin zgjidhje.
Dhe e treta, por jo për nga rëndësia, punësimi. Nëse punësohesh në Fier, do jesh borxhli i një partie pë sa kohë ajo në pushtet. Ka vdekur meritokracia, as nuk e dinë si fenomen se ç’është. Agroni në fakt nuk i merr kurrë si “ankesa elektorale”, i merr shumë seriozisht dhe vazhdimisht më pyet për qarkun e Fierit.
Cili është disavantazhi më i madh i Agron Shehajt?
Nuk e di nëse mund të quhet disavantazh, por mund të them sipas mendimit tim që Agroni nuk ka shumë durim për “lojërat e buta” politike. Është shumë direkt e ndonjëherë edhe më shumë seç e kërkon loja politike. Ndonjëherë duket si i ftohtë, sepse nuk bën show emocional për vëmendje.
Unë personalisht e shoh si një lider që po ndërton një kulturë krejt të re politike.
Në vijim unë do them disa fjalë ose fjali dhe dua të m’i përshkruash shkurtimisht. Fillojmë: “Albpetrol”.
Albpetrol: Ku nafta është e rëndësishme, por edhe përrallat rreth saj shpesh janë të yndyrshme. Këtë batutë do e kuptojnë vetëm fierakët…por jo Belinda Balluku.
“Gjimnazet e Fierit fitues olimpiadash dikur”.
Gjimnazet e Fierit tani mjaftohen për të kaluar provimet me pak internet të shpejtë dhe pak fat, jo më shumë. Po ndoshta arrijnë të fitojnë edhe një çmim në “mbijetesa në administratë”.
“Kujtim Majaci”
S’kam asnjë batutë për Kujtim Majacin, veçse shumë respekt për emrin e tij.
“Estrada e Fierit”
Dikur ishte shfaqja e qytetit, sot me pak fat mund të gjesh ende ndonjë shfaqje, kurse për aktorët, kërkim në të kaluarën, se janë zëvendësuar nga “Zegjineja me Gazon.”
“Universiteti i krimit”
Për të marrë diplomën, mjafton të kesh një lidhje të fortë me një “mentor”, se mësimi është duke u bërë ende.
“Eksport kallamash”
Unë rishtaz kam mësuar që eksportojmë kallama nga Fieri. Do them këtë: kallamat e Fierit, i vetmi biznes që mund të trashëgohet me bollëk dhe pa shumë shpenzime.
“Torta Belinda”
Kam shumë batuta për këtë në fakt…Torta Belinda: ku çdo shtresë është më e trashë se rroga e një të riu në Fier.
“Ish-instituti i naftës. Ish-instituti i farërave, nënshartesës dhe pesticideve.”
Dikur tru për naftën, sot tru për merimangat. Nga laborator kërkimesh në laborator kujtimesh.
Për farërat…hmm mund të them që: “Instituti mbolli dije, po ne korrëm heshtje.” Për pesticidet e kam më të bukur në fakt: “Dikur luftonin parazitët e bimëve, sot do na duheshin për parazitët e administratës. Po kush ta rihapë…”
“Gazment Bardhi”
Gazmenti gjithmonë pretendon se është në kahun e duhur, po ndryshon krah më shpejt se ora verore.
“Altin Dumani”
Altin Dumani është i vetmi “New Sheriff in Town”, të tjerët janë kopja e shëmtuar e tij.
“Ambasada e Shteteve te Bashkuara rekomandon që shtetasit amerikanë të shmangin mjediset ku po proteston Agron Shehaj me Frida Mavriqin për shpopullimin e Shqipërisë.”
Hahahah. Kanë frikë se u vijnë aplikimet për azil nga gjithë protesta, ndaj fusin panik në komunikata.
I fundit nga lista e personazheve: “Alex Soros”
Djali që ka pasuri sa për të ndryshuar botën…dhe “pak” vota për proceset zgjedhore.
Duke vijuar me pyetjet klasike, cili do ishte skenari më pozitiv për partinë tuaj në këto zgjedhje, por gjithnjë duke respektuar objektivitetin në hesap.
Skenari më pozitiv në këto zgjedhje për Partinë Mundësia do ishte një grup parlamentar me 10 apo më shumë deputetë në parlament.
Nëse ky grup do ishte “KingMaker” për krijimin e qeverisë, cili do ishte skenari që do preferoje për koalicion?
Nëse do ishim KingMaker, një koalicion me ata që janë të angazhuar për një ekonomi të lirë, ulje të taksave, mbështetje të pakufizuar për drejtësinë dhe një administratë më të lehtë dhe efikase. Nuk kemi ndërmend të bashkëpunojmë me asnjë forcë që nuk ndan këto parime. Për ne nuk bëhet fjalë fare për pozita, por për një qeverisje që vë qytetarët para gjithçkaje.
Fatkeqësisht, në opinionin tim, asnjë nga forcat e mëdha politike, nuk ndan të njëjtin qëllim me ne.
Me jep emrin e një personazhi ose fenomeni në Partinë Socialiste që ngjall respekt tek ty.
Është e vështirë në fakt por do veçoja pak ndoshta Erion Braçen. Është më i drejtpërdrejtë nga kolegët e tij brenda PS-së.
Levizja “Bashkë” ka pjesë të programit, reformën në industrinë hidrokarbure, resurs që prek në mënyrë thelbësore Fierin. Si e sheh këtë gjë?
Reforma në industrinë hidrokarbure është një çështje tepër e rëndësishme për Fierin, që ka një histori të gjatë dhe një ndikim të madh nga ky sektor. Si fierakë, e dimë se ky sektor ka sjellë përfitime të konsiderueshme për ekonominë lokale, por ka krijuar edhe probleme të mëdha si ndotja dhe menaxhimi i keq i burimeve natyrore. Ndaj, çdo propozim për reformë në këtë industri duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe unë personalisht mendoj që Lëvizja Bashkë nuk ka asnjë plan konkret për të trajtuar këtë reformë, por vetëm pika për t’i përfshirë në program.
Po Mundësia ka një plan për këtë reformë?
Mendoj se pseudo-reformat nuk mund të jenë si arnimet e pantallonave. Në gjykimin tim, Shqipëria ka nevojë në radhë të parë të pozicionohet se ku do jetë në 30-50 vitet e ardhshme, arsimi, shkenca, bujqësia, sistemi i tokave, energjia. Pra duhet një kryereformë që të vendosë në shina të gjitha reformat. Është diçka tepër e vështirë, por jo e pamundur. Por nëse një qeveri ka vullnet të mirë dhe është e shkëputur nga kultura e deritanishmë e zhvatjes dhe abuzimit, me pak ndërhyrje të vockla mund të sjellë ndryshime të mëdha.
Për shembull e dini që në ministrinë e Ballukut, pak biznesmenë të mëdhenj e marrin lejen për tre muaj, ndërsa dhjetëra apo qindra të tjerë që kanë dokumentacion të rregullt presin dhe 5 vite? Çfarë duhet për ta ndryshuar këtë gjë përveç vullnetit? Çdo plan i Partisë Mundësia është që çdo reformë do trajtohet me transparencë për të parandaluar çdo abuzim dhe prioritet do jenë investime në teknologji, që në rastin e Albpetrol do ndihmojnë në minimizimin e ndotjes.
Cfarë do ishte një lëvizje e lidershipit të PD-së që do të të vinte në mendime dhe në dilemë për të kandiduar për ta?
E kam të thjeshtë të përgjigjem. Në lista mos të kishte emra si Flamur Noka apo Albana Vokshi dhe të drejtohej nga Agron Shehaj.
A ka diçka që dëshiron ta shprehësh dhe që nuk e përfshiu dot perimetri i pyetjeve të Hashtag.al?
Po ka diçka në fakt. Dua t’u qartësoj lexuesve të Hashtag.al që fierakët janë shumë të turpëruar dhe të tronditur që kënga “përfaqësuese” e tyre, u kërcye nga Belinda e cila s’ka asnjë lidhje me ne. Gjithashtu edhe që rinia fierake nuk është Zegjineja me shoqe, por super vajza dhe djem punëtorë dhe inteligjentë. Kjo me nota humori si mbyllje, por patjetër që ka të vërtetë në të.