“Rama e Krifca abuzuan me fondet e BE-së, në vend ta shkarkonte e mori këshilltare”  – Berisha


Kreu i PD-së Berisha akuzoi kryeministrin Rama se ka braktisur plotësisht sektorët jetikë si bujqësia e blegtoria.

Gjatë një takimi me fermerët në Elbasan, kryedemokrati theksoi se politikat e qeverisë kanë dëmtuar rëndë fermerët shqiptarë, të cilët nuk përfitojnë asnjë ndihmë e subvencion si fermerët e rajonit.

“Sot sektori i bujqësisë dhe blegtorisë ku punësohen rreth gjysmë milioni shqiptar është një sektor thuajse tërësisht i braktisur nga qeveria. Ky sektor i jep vendit 90 përqind të prodhimit të brendshëm.

Ju nuk jeni më pak punëtorë se sa fermerët e Kosovës, Maqedonisë Malit të Zi apo Serbisë. Sigurisht që doni që fermat tuaja që serat tuaja stalla tuaja të ecin përpara. Por kjo nuk ndodh sepse politika e ndjekur nga kjo qeveri ka qenë shkatërrimtare. Hapi doganat për prodhimet e Serbisë dhe Maqedonisë, fermerët e të cilave subvencionohen deri në 8 herë më shumë se ju”, tha Berisha.

Ai tha më tej se Rama abuzoi me grantet e BE-së për fermerët ndërsa në vend që të shkarkonte ministren që abuzoi, e mori këshilltare në kryeministri.

“Paratë jau morën dhe kur BE e diktoi këtë, i ndërpreu fondet dhe Rama në vend të çonte ministren e tij ku e meritonte, e mori këshilltare kryesore në kryeministri, sepse abuzimin e kishte të përbashkët dhe ajo s’kishte bërë gjë tjetër veçse kishte zbatuar urdhrat e tij. Ne jemi të vendosur ta transformojë dhe ta ndryshojmë me shpejtësi këtë situatë. Në kemi vendosur në programin tonë të 54 fishojmë subvencionin dhe të kapim vendet që kemi përreth Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Ndaj dhe fondi do të shkojë në 230 milionë euro subvencione. Do të subvencionojmë çdo kokë bagëti, çdo njësi prodhimi”, tha ai.